MENU

I pakalueshëm nga dëbora

Thethi, një “mollë e ndaluar” për vizitorët

14.04.2019 - 17:00

Thethi, një nga zonat piktoreske më të njohura në Shqipëri sa i përket turizmit malor, vijon të jetë “mollë e ndaluar” për vizitorët.

Ndonëse jemi në muajin prill, në stinën e pranverës, sërish kalimi me makinë drejt këtij destinacioni ndalet në Qafën e Thores, pasi rruga për shkak të borës dhe akullit bëhet e pakalueshme .

Pjesa tjetër prej 16 km në drejtim të Thethit mund të përshkohet vetëm në këmbë.

Banorët e kësaj zone thonë se fadroma që po punon për hapjen e kësaj rruge është shumë e vjetër dhe e ka të pamundur lirimin e rrugës.

Petrit Shpella, pronar i një bujtine në Theth, thotë se askush nuk është kujtuar për hapjen e rrugës, ndonëse turizmi është e vetmja mënyrë për të siguruar të ardhura në këtë zonë.

Një muaj më parë u hap zyrisht procedura e tenderimit për rrugën Qafë Thore-Theth me gjatësi 16 km që lidh një ndër zonat më të bukura të Alpeve me Bogën dhe Shkodrën. Investimi do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të projektit “Rrugët Lidhëse Rajonale dhe Lokale” për llogari të qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore.

Projekti për këtë rrugë është pjesë e investimeve që rrjedhin nga Plani Sektorial i Turizmit për Rajonin e Alpeve Shqiptare, që bashkë me strategjinë e marketingut turistik dhe programin e investimeve për infrastrukturën vendore përbëjnë atë që njihet si Masterplani i Alpeve.

Ndër të tjera, projekti parashikon gjerësi asfalti 4-4,75 metra dhe në 3 pikat më të rrezikshme të rrugës do të ndërtohen 3 tunele nga 20-30 metra për të siguruar mbrojtje nga ortekët.