Numri abonentëve të internetit në Shqipëri arriti një shifër rekord në fund të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, numri i abonentëve të internetit me linja fikse, në fund të dhjetorit ishte mbi 361 mijë. Gjatë vitit 2018, numri i abonentëve u rrit me afro 23%. E thënë ndryshe, në një vit, janë shtuar afro 67 mijë abonentë të rinj të shërbimit të internetit.
Pjesa më e madhe e abonentëve të internetit e shfrytëzojnë lidhjen për të marrë më shumë se një shërbim komunikimi, duke përfshirë edhe telefoninë fikse dhe televizionin.
Numri i abonentëve që marrin të paktën dy prej këtyre shërbimeve njëkohësisht ka arritur në 225 mijë, në rritje vjetore me afro 13%. Prej tyre, 107 mijë abonentë marrin njëherësh tre shërbime përmes një lidhjeje të vetme.
Përfshirja e platformave televizive me pagesë i ka dhënë një shtysë edhe më të fortë zgjerimit të shërbimeve të integruara të komunikimit.
Sidoqoftë, depërtimi ende relativisht i ulët i linjave fikse ngelet një pengesë për të rritur numrin e abonentëve të internetit edhe jashtë qendrave të mëdha urbane të vendit.