SHBA-të pritet të ratifikojnë protokollin për pranimin e Maqedonisë së Veriut në aleancën e NATO-s. Kërkesa i është drejtuar të hënën zyrtarisht Senatit amerikan nga presidenti i vendit, Donald Trump.
Trump: “Maqedonia e Veriut është një partner i SHBA-së që përkushtohet për sigurinë, dhe anëtërësimi i vendit do t’i sillte përfitime direkte si interesave strategjike të SHBA-së, edhe vetë aleancës së NATO-s.”
Ambasadori amerikan në NATO ka thënë se SHBA-ja pret që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtarja e 30-të e aleancës ushtarake rreth vjeshtës së vitit të ardhshëm.
Protokolli i anëtarësimit të shtetit ballkanik në aleancën e gjerë u firmos në Bruksel më datën 6 shkurt, dhe aktualisht është ratifikuar nga parlamentet e 12 nga 29 shteteve anëtare që numëron organizata, mes tyre edhe Shqipëria.
Maqedonia e Veriut, që më parë njihej si Maqedonia, e ndryshoi emrin e saj në bazë të marrëveshjes historike të Prespës të dakordësuar me Greqinë në qershor të vitit 2018.
Emri i vendit ishte bërë një shkak që fqinji i saj jugor të përdorte veton sa herë tema e anëtarësimit në NATO vihej në diskutim.
Marrëveshja gjithashtu i ka dhënë zgjidhje konflikteve që dy shtetet kishin trashëguar nga shekulli i kaluar, dhe ka çelur një horizont të ri për bashkëpunimet dypalëshe e rajonale në fusha të ndryshme.