Këshilli i Lartë i Zgjedhjeve i Turqisë (YSK) do të rinumërojë votat lokale zgjedhore në tetë zona të Stambollit pas kundërshtimeve nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e Presidentit Rexhep Taip Erdogan.
Opozita kishte fituar sipas rezultateve fillestare, por partia e Erdogan kishte apeluar rinumërimin.
Rezultatet fillestare të publikuara nga agjensia shtetërore Anadolu të hënën treguan se partia qeverisëse humbi zgjedhjet për kryebashkiakë në tre qytetet më të mëdha të vendit, Stamboll, Ankara dhe Izmir.
Bordi zgjedhor i vendit iu dha partive tri ditë për të parashtruar ankesat e tyre, duke vendosur afatin për të mërkurën.
Mediat turke kanë thënë se kandidati i Partisë Republikane Popullore (CHP), Mansur Yavas ka shënuar fitore të qartë në Ankara, mirëpo rezultati ka qenë aq i ngushtë në Stamboll, sa që të dyja partitë kanë pretenduar fitore. Gazetat pro-qeveritare të mërkurën thanë se kishte pasur një konspiracion kundër Turqisë në zgjedhjet lokale.
Presidenti Erdogan, i cili ka dominuar politikën turke, prej kur ka ardhur në pushtet 16 vjet më parë, dhe ka udhëhequr këtë shtet me masa secilën herë më të ashpra, ka bërë fushatë intensive gjatë dy muajve të fundit për votimet e së dielës, të cilat i ka cilësuar si “çështje të mbijetesës” për Turqinë.
Zgjedhjet erdhën mes një rënie ekonomike dhe u konsideruan gjerësisht si një referendum mbi udhëheqjen e tij.
Partia Demokratike e Popullit pro-kurdë e opozitës (HDP) tha se zgjedhjet ishin të padrejta dhe nuk pranuan të paraqitnin kandidatë në disa qytete. Disa nga drejtuesit e saj janë burgosur për akuza terroriste, akuza që ata refuzojnë.
Tubimet e Erdogan janë transmetuar kudo në media. Presidenti u kritikua sepse shfaqi në mënyrë të përsëritur pamjet nga sulmi terrorist i kohëve të fundit në Zelandën e Re, në të cilën një supremacist i vetë-deklaruar i bardhë transmetoi videon duke vrarë 50 vetë në dy xhami të Christchurch.