Nga shpërthimi në një minierë të qymyrit në rajonin Luhansk të Ukrainës, kanë humbur jetën të paktën 17 persona.
Liderët separatistë që kontrollojnë minierën, thanë se të gjithë trupat e minatorëve të zhdukur janë gjetur.
Miniera ku ka ndodhur incidenti gjendet në fshatin Yurivka, që ndodhet në territorin e kontrolluar nga separatistët që mbështeten nga Rusia.
Ministria e Emergjencave të Rusisë tha se ka dërguar ekipe të shpëtimit për në minierën Skhidcarbon, me kërkesë të liderëve separatistë të cilët kontrollojnë minierën.
Ndërkaq, punëtorët e shpëtimit nga Qeveria ukrainase nuk kanë pasur qasje zyrtare për të shkuar në këtë minierë.
Një shpërthim i gazit të metanit ka kapluar këtë minierë më 25 prill dhe raportohet se ka shkaktuar kolapsimin e disa pjesëve të minierës.
Miniera Skhidcarbon ishte mbyllur më 2014 si pasojë e luftimeve ndërmjet forcave të Qeverisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia. Por, kjo minierë u rihap më 2018.