MENU

Zgjedhjet e jashtëzakonshme

Vuçiç i shokuar, listat serbe ndalohen në zgjedhjet e Kosovës

24.04.2019 - 15:56

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka reaguar pas mos certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Ai thotë se është shokuar dhe për këtë do të bisedojë me Angela Merkelin, por edhe me Vladimir Putinin.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç është shfaqur shumë i brengosur për ndalimin e Listës Serbe nga pjesëmarrja në zgjedhjet në veri të Kosovës.

Ai po ashtu theksoi se në lidhje me këtë shqetësim do të bisedojë me liderët e Kinës dhe Rusisë në Pekin, por edhe me kancelaren gjermane Angela Merkel gjatë takimit në Berlin, raportojnë mediat serbe.

Duke përmendur se Kosova do të jetë tema kryesore e diskutimeve të tij me presidentin e Rusisë dhe të Kinës, Vuçiç tha se është i “shokuar” me vendimin për mos certifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Këto janë gjëra të pabesueshme, jam i shokuar me mënyrën se deri ku kanë shkuar këto lojëra. Këto janë gjëra që nuk duhet të bëhen”, u shpreh Vuçiç para gazetarëve serbë në Pekin.

Ai shtoi se vendimin e sheh si heqje të demokracisë ndaj të cilës askush nga bota nuk ka reaguar.

“Nuk dua të thëm se çfarë më kujton, kur dikujt ia ndaloni të kandidojë sepse nuk u pëlqen politika e tyre, mendojeni si quhet kjo”, shtoi ai.