MENU
klinika

Nga Reuters

Zgjedhjet në Izrael, kush fitoi, kush humbi dhe çfarë do të bëjë Netanjahu?

15.04.2019 - 21:31

Partia Likud e kryeministrit Benjamin Netanyahu ka fituar 36 nga 120 vendet në parlamentin e Izraelit, sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të së martës, duke e vënë atë në pole position në negociatat për të formuar një koalicion të krahut të djathtë.

Netanjahu po shkon drejt një mandati të pestë, rekord, në detyrë me besimin se do jetë në gjendje të krijojë një bllok partish të djathta-religjioze.

Do të ishte një shumicë e ngushtë kundër një opozite që ka të ngjarë të udhëhiqet nga partia e qendrës së majtë, Blu’ e Bardh’, e cila fitoi 35 vende. Asnjë parti e vetme nuk ka fituar ndonjëherë një shumicë të drejtpërdrejtë në Knesset.

Këtu është një udhëzues i shpejtë për partitë e ndryshme, të cilët kanë fituar apo kanë humbur dhe çfarë, me gjasë, mund të ndodhë më pas:

Çfarë koalicioni do të kërkojë Netanjahu?

Me shumë gjasa, një kopje të qeverisë së tij aktuale të krahut të djathtë. Në fjalimin e fitores, Netanyahu, 69 vjeç, tha se synon të formojë kabinetin e ri me partitë e djathta dhe fetare.

Cili është hapi i radhës?

Ndërtimi i koalicionit. Javën e ardhshme presidenti i Izraelit do të konsultohet me udhëheqësit e secilës parti rreth preferencës së tyre për kryeministër. Ai pastaj do të emërojë personin që beson se ka shansin më të mirë për të formuar qeverinë.

Netanjahu është zgjedhja e qartë, si udhëheqësi i partisë më të madhe. Nëse emërohet për të formuar një qeveri, ai do të ketë deri në 42 ditë për ta bërë këtë. Nëse ai dështon, presidenti do t’i kërkojë një tjetër politikani që të provojë.

Negociatat për koalicioniet në të kaluarën kanë zgjatur. Partitë më të vogla do të kërkojnë vende në kabinetin qeveritar dhe do të kenë kërkesat e tyre financiare dhe legjislative për të përmbushur premtimet e fushatës që u bëhen votuesve. Netanjahut do t’i duhet të balancojë këto kundër prioriteteve të partisë së vet.

Likud

Tridhjetë e gjashtë vende, (krahasuar me 30 para zgjedhjeve). Udhëheqësi: Benjamin Netanyahu.

Partia kryesore e krahut të djathtë në Izrael për dekada të tëra. Likud erdhi në pushtet për herë të parë në vitin 1977 nën liderin e Irgun-it, më vonë fitues i Çmimit Nobel të Paqes, Menachem Begin.

Udhëheqësi i saj aktual, Netanyahu, personifikon pozicionet e ashpra të Likudit mbi sigurinë në çështje të tilla si konflikti izraelito-palestinez dhe politika e jashtme, me Iranin që aktualisht është fokusi kryesor.

Shumë anëtarë të parlamentit të partisë Likud kundërshtojnë krijimin e një shteti palestinez dhe, gjatë zgjedhjeve, Netanjahu tha se do të aneksonte vendbanimet e Izraelit në Bregun Perëndimor.

Rreth 400,000 kolonët hebrej jetojnë së bashku me 2.9 milionë palestinezë në territorin që Izraeli pushtoi në një luftë të vitit 1967 dhe që është mbajtur nën pushtimin ushtarak që nga ajo kohë, por asnjëherë nuk e ka aneksuar zyrtarisht.

Baza mbështetëse e Netanyahut u mblodh rreth tij, edhe pse ai përballet me dënime të mundshme në tre raste korrupsioni.

Unioni i Krahut të Djathtë

Pesë vende, (pa ndryshim). Udhëheqësi: Rafi Peretz.

Partia nacional-fetare e Izraelit është përfaqësuesi më i shquar politik i lëvizjes së kolonëve. Ajo e refuzon idenë e një shteti palestinez, duke nënvizuar lidhjet biblike dhe fetare të popullit hebre në vendin që palestinezët kërkojnë për një shtet.

Presidenti i SHBA, Donald Trump pritet të zbulojë planin e tij të shumëpritur të paqes në Lindjen e Mesme në muajt e ardhshëm. Nëse plani kërkon koncesione territoriale izraelite ndaj palestinezëve, Unioni i i krahut të djathtë ka gjasa të ngrejë kundërshtime të ashpra.

Israel Beitenu (‘Izraeli, shtëpia jonë’)

Pesë vende, pa ndryshim. Udhëheqësi: Avigdor Lieberman.

Një parti sekulariste, nacionaliste dhe ekstremiste e së djathtës, baza e së cilës janë emigrantët nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Kreu i saj, i lindur në Moldavi, Lieberman, është një ish-ministër i Mbrojtjes i cili kërkon të tregohet edhe më skifter se Netanjahu. Politikat e tij përfshijnë shkëmbimin e qyteteve arabe brenda Izraelit – ku jeton pakica arabo-palestineze prej 21 përqind – në këmbim të lëshimit të territorit të bllokuar në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

Judaimzi i Torah-ut të Bashkuar

Shtatë vende, (nga gjashtë). Udhëheqësi: Yakov Litzman.

Përfaqëson hebrejtë ultra-ortodoksë, ose haredim, me origjinë europiane. Një koalicion i Netanyahut, si shumë përpara tij, ka të ngjarë të mbështetet te ultra-Ortodoksët.

JTB është kryesisht e lidhur me ruajtjen e përfitimeve shtetërore për meshkujt haredi, shumë prej të cilëve i përkushtohen studimeve fetare me kohë të plotë, nuk punojnë dhe nuk shërbejnë në ushtrinë ushtarake të Izraelit.

Kërkesat për më shumë pagesa qeveritare do ta bëjnë më të vështirë për Netanyahun që të frenojë një deficit buxhetor në rritje.

Shas

Tetë vende, (nga shtatë). Udhëheqësi: Aryeh Deri.

Shas përfaqëson hebrejtë Haredi me origjinë nga Lindja e Mesme. Aleatët me JTB dhe me kërkesa të ngjashme, ajo ka shërbyer gjithashtu si kingmaker në qeveritë e njëpasnjëshme.

Kulanu (‘Të gjithë ne’)

Katër vende (nga dhjetë të mëparshme). Udhëheqësi: Moshe Kahlon

Partia e mban veten si krah i djathtë i moderuar. Kahlon, ministri aktual i Financave, ka takuar zyrtarë palestinezë për çështjet ekonomike, edhe pse dy palët nuk kanë patur negociata që nga viti 2014.

Kahlon dëshiron të mbajë ministrinë e Financave, por partia e tij tani është shumë më e dobët në parlament, kështu që do të ketë ndikim më të vogël në negociatat e koalicionit pas zgjedhjeve.

Ekonomia izraelite nuk ishte temë e fushatës zgjedhore, por banka qendrore ka paralajmëruar se qeveria e re do të duhet të shkurtojë shpenzimet dhe të rrisë taksat për të frenuar një deficit buxhetor në rritje.

Blu’ e Bardh’

Tridhjetë e pesë vende, (zgjedhjet e para). Udhëheqësit: Benny Gantz dhe Yair Lapid.

Një parti e qendrës, lideri i së cilës, ish-shefi i Ushtrisë Gantz, doli si një rival serioz i Netanjahut. Por rishtari politik dështoi të shfronësojë veteranin, dhe humbi kredibilitet duke shpallur fitoren shumë herët gjatë natës së zgjedhjeve.

Gantz bashkoi forcat me të djathtin Moshe Yaalon, një ish-ministër i Mbrojtjes dhe një ish-ministër të Financave nga qendra e majtë, Yair Lapid.

Partia u zotua të kombinojë qeverinë e duarve të pastra me paqen dhe sigurinë. Duke pranuar humbjen të mërkurën, Lapid tha se partia e tij në opozitë do ta “bëjë jetën e Likudit ferr”.

Laburistja

Gjashtë vende, (nga 18 të mëparshme). Udhëheqësi: Avi Gabbay.

Partia e majtë e cila sundoi Izraelin gjatë dekadave të para të shtetit mori një goditje shkatërruese më 9 prill. Ndërsa Netanjahu reflektonte zhvendosjen djathtas të elektoratit izraelit, Laburistja theksoi reformën sociale dhe ekonomike, kursin e paqes dhe zgjidhjen ‘dy-shtetëshe’ me palestinezët.

Hadash-Ta’al

Gjashtë vende. Udhëheqës: Ayman Odeh dhe Ahmad Tibi.

Më i madhi nga dy blloqet arabe në parlament. Të gjitha partitë e dominuara nga arabët bashkuan forcat në vitin 2015, por u ndanë në dy këtë vit dhe panë që numri i tyre i kombinuar u ul nga 13 në 10.

Grupi ka një anëtar hebre në parlament dhe mbështet një aleancë arabo-hebraike për të luftuar racizmin dhe pabarazinë sociale. Por partitë arabe nuk janë bashkuar kurrë me koalicione qeverisëse në Izrael dhe këtë vit u përballën me një lëvizje bojkotimi nga arabët, të tronditur nga ligj i “shtetit- komb” i vitit 2018, i cili deklaroi se vetëm çifutët kanë të drejtën e vetëvendosjes në vend.

Sipas shumicës së vlerësimeve, këto zgjedhje kishin pjesëmarrje jashtëzakonisht të ulët nga qytetarët arabë të Izraelit, disa prej të cilëve preferojnë gjithnjë e më shumë emërtimin “palestinez” se sa “izraelito-arab”.

Raam-Balad

Katër vende – Udhëheqës: Mansour Abbas dhe Mtanes Shihadeh.

Liderët e Raam-Baladit janë një përzierje e nacionalistëve islamikë dhe arabë. Ajo e përshkruan veten si një lëvizje demokratike në kundërshtim me pushtimin e territoreve palestineze nga Izraeli.

Meretz

Katër vende, (nga 5 të mëparshme). Udhëheqës: Tamar Zandberg.

Partia e krahut të majtë nuk ka qenë pjesë e qeverisë në dy dekadat e fundit. Popullore me izraelitët e klasës së mesme liberale, ajo mbron një zgjidhje me ‘dy shtete’ me palestinezët.

Humbësit e mëdhenj

E djathta e re – Udhëheqësit: Naftali Bennet dhe Ayelet Shaked.

Asnjë vend (nga tre të mëparshme).

Dikur të konsideruar si yje të rinj në rritje në politikën izraelite, Bennett, një milioner i industriusë hi-tech, ishte Ministri i Arsimit i Izraelit ndërsa Shaked Ministër i Drejtësisë në qeverinë që po largohet.

Ata u ndanë nga një fraksion më i madh kombëtar-fetar për të formuar një parti të re të ekstremit të djathtë që do t’u apelonte zgjedhësve më laikë. Shaked shpesh kritikoi Gjykatën e Lartë të Izraelit si tepër liberale dhe ndërhyrëse.

Partia nuk fitoi votuesit e mjaftueshëm për të hyrë në Knesset.

Zehut – Udhëheqës: Moshe Feiglin.

Asnjë vend. Fluturimi në sondazhet e para-zgjedhjeve dhe rrëzimi në kutitë e votimit, partia e re ultra-nacionaliste libertariane nuk do të jetë pjesë e Knesset.

Kërkesa e saj gjatë fushatës për legalizimin e marihuanës u duk se ishte një tërheqje e madhe për shumë votues të rinj, të cilët në fund të fundit nuk ‘u shfaqën’.

Politikat e saj të tjera përfshinin propozime për të aneksuar Bregun Perëndimor, transferimin ‘vullnetar’ të palestinezëve në shtete të tjera dhe ndërtimin përfundimtar të një tempulli të tretë hebre.