MENU
klinika

Marrëveshja

Armëpushim mes Izraelit dhe Palestinës

06.05.2019 - 18:39

Bombardimet në qytetin e Gazës prej së premtes u morën jetën të paktën 27 personave në Palestinë dhe Izrael. Palët njoftuan të hënën se kanë arritur marrëveshje për armëpushim në respekt edhe të muajit të besimtarëve myslimanë.

Izraeli tha se rrugët e transportit publik janë kthyer në normalitet, ndërsa raportohet se do të hiqen disa nga kufizimet që e kanë bërë më të vështirë jetën e qytetarëve në Gaza.

Izraeli dhe Palestina kanë bërë armëpushim pas një fundjave me bombardime të cilat vranë të paktën 27 persona nga të dy krahët.

Marrëveshja e ndërmjetësuar nga Egjipti dhe Kombet e Bashkuara u njoftua të hënën nga militantët islamikë të “Hamasit”.

Dhuna mes dy rivalëve të vjetër u ndez të premten e kaluar kur Izraeli ngriti një barrikadë në qytetin e Gazës për të ndalur sipas tyre armatosjen e fraksioneve terroriste palestineze.

Pas shkëmbimeve të zjarrit nga të dyja palët, sulmet precipituan shpejt mëngjesin e së shtunës kur separatistët e “Hamasit” dhe ata të Xhihadit Islamik lëshuan mbi 690 raketa në objektivat izraelitë, duke vrarë edhe katër civilë.

Izrael-Palestine

Forcat mbrojtëse të Izraelit u kundërpërgjigjën me sulme ajrore në bazat e dyshuara terroriste në brendësi të Palestinës.

Nga bombardimet u vranë 23 persona, një nga komandantët e Hamasit dhe u shkatërruan një sërë godinash, mes tyre edhe selia e agjencisë turke të lajmeve, Anadollu.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, tha se do e përforcojë kufirin me Rripin e Gazës me tanke, artileri dhe me trupa këmbësorie.

Ndërkaq, presidenti amerikan doli në krahun e Jeruzalemit, duke e dënuar dhe paralajmëruar Palestinën se aktet terroriste do i sjellin vendit vetëm mjerim.

Konflikti i fundit në prag të muajit të Ramazanit ishte më vdekjeprurësi që prej vitit 2014, kur në Izrael dhe Palestinë në 50 ditë luftime u raportuan mbi 2300 viktima, më së shumti civilë e ushtarë palestinezë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN