MENU
klinika

Haradinaj e kishte mohuar

“Arratisen” banorët, zbrazet një fshat i tërë në Kosovë

02.05.2019 - 11:29

Vetëm brenda këtij viti shkollor, tre nxënës të së njëjtës klasë në shkollën fillore “Esad Mekuli” kanë braktisur mësimin duke u larguar në mërgim me familjet e tyre, në kërkim të një jete më të mirë.

Ndërsa banka e parë e klasës së dytë në shkollën fillore “Esad Mekuli” në fshatin Caravikë të Klinës, ka mbetur e zbrazët prej e disa muaj.

Mësuesja e tyre thotë se për shumë vite në arsim, asnjëherë nuk ka pasur më pak nxënës sesa dy vitet e fundit.

Faktin se fshati po zbrazet me shpejtësi të madhe, e thotë edhe kryetari Miftar Bashota , sipas të cilit, brenda një viti, mbi 20 shtëpi kanë mbetur të boshatisura.

Ai thotë se nga shumica e këtyre familjeve të larguara, së pari kryefamiljarët kanë arritur ta sigurojnë një vizë pune dhe pastaj kanë marrë edhe anëtarët e tjerë të familjes në shtetet evropiane.

Bashota tregon arsyet të cilat po i shtyjnë banorët ta braktisin vendlindjen.

Fshati ka mbetur  pa të rinj, të cilët po ashtu kanë emigruar në vendet perëndimore.

Ndërsa, edhe ata pak të rinj që janë ende në këtë fshat mendojnë të ikin në momentin e parë që u ofrohet ndonjë mundësi.

Gjermania, Kroacia e Sllovenia, mbeten disa nga vendet e preferuara ku kosovarët duan të shkojnë dhe të punojnë, raportojne mediat kosovare.

Mbështetur në të dhënat e Ministrisë Federale për Punë të Jashtme, në vitin 2018, Ambasada në Prishtinë ka lëshuar mbi 25 mijë viza, e prej tyre, afër 13 mijë kanë fituar edhe leje qëndrimi në Gjermani.

Ndërkohë, vetëm në tremujorin e parë të 2019-s, Sllovenia ka lëshuar 3 mijë e 319 leje qëndrimi të përhershme ose të përkohshme, ku përfshihet edhe leja e punës.

Por, pavarësisht këtyre të dhënave dhe largimeve nga Kosova, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte mohuar se të rinjtë po e lënë Kosovën, duke vënë në pikëpyetje edhe raporte të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.