10 artistë ndërkombëtarë kanë vendosur t’i japin jetë një qyteti të vogël naftënxjerrës si Patosi. Veç kësaj ata kanë ardhur të japin edhe një mesazh, atë të mbrojtjes të natyrës.
Fasadat monotone të pallateve të Patosit po marrin jetë.
10 artistë ndërkombëtarë janë mbledhur në qytetin e vogël për të hedhur mbi 1200 metra katror sipërfaqe ngjyra dhe artin e tyre.
“Mbrojtja e natyrës është mesazhi i punës time. Një flirt me natyror me karakteristika të zonës”
Për herë të parë në një festival të artit të rrugës, ata kanë një tematikë të caktuar.
Në Patos është zgjedhur natyra, për faktin se qyteti e ka të lidhur jetën me industrinë e naftës.
“Kemi ardhur me artistë të përzgjedhur në 6 muaj, çka nuk ndodh zakonisht në projektet grafikës. Kjo është hera e parë që ne punojmë me një mesazh të caktuar siç është mbrojtja e natyrës”
Kuratori Helidon Haliti, thotë se në fund puna artistike do të jetë një vlerë e shtuar për qytetin.
“Një puzel shumë e madhe në të gjithë botën, ku Patosi ka filluar të bëhet një pjesë e saj”
Ndërsa kryebashkiakja Rajmonda Balili duke e lidhur me projektet e Rilindjes Urbane, pret që muralet të kthehen në një atraksion më vete
“Kemi kombinuar ngjyrat, traditën, simbolikën dhe pse jo të ndërtojmë në qytetin tonë pika për tërheqjen e turistëve”
Punët e realizuara në Urën Vajgurore u vlerësuan ndër muralet më të mira në botë për vitin 2018.