MENU
klinika

Lidhja me vrasjen e avokatit grek

Atentat mafioz në Vlorë, vritet 22-vjeçari

27.05.2019 - 09:53

Një atentat, si pasojë e të cilit ka vdekur një i ri ka tronditur Vlorën në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:00 në qytetin e Vlorës, ku një i ri ka vdekur dhe një tjetër është i plagosur rëndë.

Viktimë e atentatit ka mbetur 22-vjeçari Sotiraq Mëhilli.

Ndërkohë i plagosuri është identifikuar si 32-vjeçari, Eno Mata.

Në momentin e atentatit, dy të rinjtë kanë qenë duke u kthyer me motor drejt shtëpisë së tyre.

Mësohet se një makinë tip “Mercedes Benz” ka qenë duke pritur dhe më pas ka qëlluar në drejtim të tyre duke i marrë kështu jetën 22-vjeçarit.

Dyshohet se personi që mbeti i plagosur, Eno Mata për të cilin mendohet se është shënjestra e atentatit është bashkëpunëtor në vrasjen e avokatit grek.

Mata kishte vetëm pak muaj që ishte kthyer nga Greqia.

Ai dyshohet se është një nga personat që ka marrë pjesë në vrasjen e avokatit grek Mihalesi Zafeiropoulos në mbrëmjen e 12 tetorit 2017.

Kohë pas ngjarjes në mediat greke u publikua një letër, për të cilën u tha se ishte shkruar nga Mata, ku sqaronte vrasjen e avokatit.

‘Sa i përket çështjes së z.Zafeiropoulos, jemi të dy viktima. Unë di të mbaj përgjegjësinë time. Nëse do ta dija si do të shkonin punët, nuk do të bëhej kështu siç u bë. Po, unë vjedh, por nuk jam vrasës’, thuhet në letër me shënimin poshtë ‘Maradona-këmbëshpejti’.

Ndërkohë pas atentatit që tronditi sot Vlorën një makinë është gjetur e shkrumbuar në fshatin Bishan.

Ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes, por Policia dhe FNSH kanë ‘zbarkur’ në Vlorë ku po punohet intensivisht për zbardhjen e motiveve të atentatit.