MENU
klinika

Pjetër Mazreku 360 vjet më parë

Autoktonia e shqiptarëve dhe nisma e etimologjisë shkencore

01.05.2019 - 11:40

Një figurë tepër interesante e kulturës shqiptare është dhe Pjetër Mazreku, arqipeshkvi i Tivarit, i cili ka lindur në gjysmën e dytë të shekullit XVI dhe ka vdekur në gjysmën e parë të shekullit XVII (dimë datën e saktë të vdekjes-23 maj 1663). Pjetër Mazreku ka lindur në Prizren të Kosovës. Ka kryer studimet në Kolegjin e Loretos në Itali, aty ku ka studiuar edhe Frang Bardhi, Budi, Bogdani, Kazazi etj. Mbas studimeve Mazreku hyri në jetën ekleziaste, fokusi i veprimtarisë së tij baritore e kulturore ishte Ballkani. Në një relacion të viteve 1623-1624, Mazreku e quan veten si “vizitator apostolik”.

Në relacionin e tij, Pjetër Mazreku, ndonëse nuk e ka vizituar Shqipërinë, flet për kombin shqiptar, madje shton këto fjalë: “Vizitatori nuk do të zgjatet, duke treguar mjerimin e këtij kombi (të shqiptarëve), sepse nuk iu dha urdhri ta vizitonte Shqipërinë, megjithatë po t’i kërkohet kjo gjë, ai do t’i jepte kuptimin e vet Papës dhe Kongregacionit të Shenjtë…”. 

 

 

Ai përfiton dhe bën disa propozime për lartësimin kulturor të kombit shqiptar. Mazreku shkruan: “Le të dihet se si Serbia, Bullgaria dhe Greqia, janë plot skizmatikë, kurse pjesa më e madhe e Shqipërisë është plot katolikë. Vizitatori mbeti i çuditur se si për të gjitha kombet e Evropës, si anglezët, gjermanët, grekët, sllavët, si dhe për kombet e Azisë e për shumë të tjerë janë themeluar kolegje, kurse për këtë komb të varfër e të mjerë, që shumë më tepër ka nevojë si asnjë tjetër, duke qenë si të thuash tek dyert e vetë Romës, nuk është thënë kurrë, madje dhe ndonjë mendim, as nuk i është dhënë ndonjë ndihmë, që t’i jepej dora e ndihmës kaq mijërave frymëve që kanë humbur e po humbasin, sepse kanë pasur mjeshtarë e ndonjë aq të paditur sa nuk kanë njohur edhe alfabetin. Prandaj nuk janë gjetur njerëz të aftë, të shkolluar për t’i bërë ipeshkëve. Selia Apostolike çon në Shkodër e në Lezhë ipeshkë me kombësi të huaj, që nuk e kuptojnë gjuhën shqipe e që nuk nxjerrin kështu ndonjë fryt…”.

E nxitur nga dhembshuria për atdheun e vet, penda e vizitatorit vrapoi më shumë se sa besonte. Mazreku hodhi kështu një ide themelore të karakterit iluminist për arsimin të organizuar të shqiptarëve. Mazreku e kupton se kultura është vetëdije e kombit. Këtë kulturë e parapëlqen të vektorit evropian perëndimor. Në 15 maj 1625, Mazreku shkon në Kosovë dhe shkruan një letër nga Trepçe për një prelat në Romë, ku i arsyeton t’i dërgohen të holla për të ndihmuar popullin e mjeruar. Ndërkohë Pjetër Mazreku është ngjitur në shkallë hierarkike e është bërë arqipeshkv i Tivarit.

Disa relacione të Pjetër Mazrekut të vitit 1633, pra 360 vjet më parë, janë tepër të çmuara në shumë pikëpamje kulturore, shkencore, atdhetare.

 

 

Mazreku bën një paraqitje të karakterit gjeografik tepër të saktë për trojet shqiptare, sidomos të Kosovës, të maleve, të fushave, të lumenjve Drini i Zi e Drini i Bardhë. Këto përshkrime gjeografike të shoqëruara me indikacione të autorëve antikë, janë proza të bukura e tepër tërheqëse, çka e bën Mazrekun një nga shqiptarët e parë të lëvrimit të zhanrit të prozës së udhëpërshkrimeve si letërsi e njohur për kohë e më pas. Ai bën fjalë dhe për pasurinë minerare të Trepçes për argjendin dhe floririn etj. Për tokat pjellore mund të quhen, sipas Mazrekut, vetë shtrati i Cererës dhe Bakut. I bën kështu metamorfizime të emrave të mitologjisë së vjetër. Relatori më për zemër ka përshkrimet e karakterit historik, duke u bërë një lloj kronikani i kohës. Flet me krenari të dukshme për bëmat e shqiptarëve. “Serbi, greku, bulgari, boshnjaku, hungarezi – po flas për banorët e katundeve, nuk guxojnë të mbajnë armë, as nuk i mbajnë në shtëpi; shqiptari në shtëpi të tij e jashtë saj shkon kudo i armatosur, gjë që i çudit të gjithë. Kombet e tjera nuk guxojnë me i mbajtë armët si shqiptari, sidomos grekët e quajtur qefalij flasin të armatosur me sanxhak-bejlerët turq”.

 

 

Në 1663, Pjetër Mazreku bindet se origjina e shqiptarëve nuk është aziatike kaukaziane, por vendase dhe i lidh shqiptarët me maqedonasit e vjetër të moçshmërisë, duke pasur parasysh kështu dhe jehonën historike të Aleksandërit të Madh. Për tezën e autoktonisë së shqiptarëve, Mazreku përdor dy argumente: në historitë antike greke dhe latine nuk thuhet gjë për ardhjen e shqiptarëve, më saktë paraardhësve të tyre, se kanë ardhur nga Azia. Këtë argument shkenca moderne, që me Thumanin e deri në Çabej e kanë vënë në relief, sepse është tepër e rëndësishme për autoktoninë. Po ashtu, duke u mbështetur edhe tek harta e Ptolemeut e shekullit II të erës sonë për qytetin e quajtur Albanopolis, Mazreku thotë mendimin se pikërisht emri i këtij qyteti i ka dhënë emrin edhe popullit në tërësi. Këtë mendim, gjithashtu shkenca moderne e ka në konsideratë. Fisi ilir i parthinëve (i bardhinjëve – që lidhet me shqipen i bardhë ose me latinishten albus, albanët) i ka dhënë emrin albanëve ose arbërve.

Në shënimet gjuhësore të Mazrekut del në pah aftësia prej filologu, njeh traditën e Budit dhe Buzukut, disa nga fjalët janë të qarta dialektore gegërishte dhe shpjegimi me italishten është një mënyrë e saktë krahasimi.

Pra, Pjetër Mazreku, atdhetar, kishtar i madh, personalitet i shkëlqyer i kulturës shqiptare në shekullin e XVII na shpaloset me diturinë e tij dinamike në shumë rrafshe të shpirtit kombëtar.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shkodranët harrojnë leximin

‘Marin Barleti’ po ‘vdes’

“Shqiptarët, një racë e rrallë; miq e armiq të turqve!”

‘Shqiptarët më 1904-ën’, si i përshkruante gazeta amerikane