MENU
klinika

“Recovery plan in power sector”

Balluku në Uashington me projekte të reja në BB

14.05.2019 - 15:16

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë një vizite zyrtare në selinë e Bankës Botërore në Uashington ka zhvilluar takime intensive me drejtorët sektorial të BB, për projektet e rëndësishme në vazhdim si “Recovery plan in power sector” dhe ai i menaxhimit të ujërave.

Në takimet me drejtuesit të lartë të BB është vlerësuar ecuria e deritanishme e projekteve të përbashkëta midis Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Boterore si dhe janë diskutuar disa projekte të reja, për të cilat paraqesin interes për zhvillimin ekonomik të vendit.

Vend kryesor në axhendën e takimeve të ministres Balluku ka pasur prezantimi i projektit më të ri që u kërkua të mbështetet nga Banka Botërore, “Trafic Management Center”, i cili është hartuar në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit.

Projekti parashikon ngritjen e një qendre kontrolli, e cila do të menaxhojë aspektin e sigurisë rrugore, por edhe kapacitetet përpunuese të trafikut në të gjithë rrjetin e aksit rrugor shqiptar.

Ky projekt parashikon gjithashtu krijimin e vizibilitetit përmes kamerave CCTV, në çdo kënd të akseve rrugore. Po ashtu parashikohet ngritja e një sistemi komunikimi përmes radios, e cila prevalon në rast njoftimesh për aksidente apo njoftime të tjera të rëndësishme dhe ndërhyn me prioritet në radiot e drejtuesve të automjeteve.

Ministrja Balluku prezantoi këtë projekt, i cili u prit me mjaft interes nga ekspertët e BB gjatë takimit të saj me znj. Karla Gonzales, drejtuese për Transportin në Bankën Botërore.

Takime të tjera të rëndësishme ishin ato me z.David Michaud, Drejtor për projektet e ujit, për Europën dhe Azinë qendrore dhe z.Sameer Shukla, Menaxher i Praktikave globale të energjisë dhe burimeve natyrore, për Europën dhe Azinë Qendrore.