MENU
klinika

Nismëtar i letërsisë

Barleti epos i shpirtit shqiptar

26.05.2019 - 11:55

   Marin Barleti si dijetar i madh rilindës, i humanizmit shqiptar e evropian ka pasur një kulturë të gjerë e të shumanshme. Kjo kulturë është mishëruar në veprat e tij të pavdekshme, thesar i kulturës sonë kombëtare. Në veprat e tij Barleti përmend shpeshherë krijimtarinë popullore. Është i pari dijetar shqiptar, që na jep legjendën e krijimit të Rozafës, sipas një dorëshkrimi në gjuhën popullore, d.m.th. në shqip, që s’është ruajtur. Ai shënon se festat e fitoreve të Skënderbeut shoqëroheshin me valle e këngë të vegjëlisë e se për vetë Skënderbeun këndoheshin këngë nga populli.

Me rastin e disfatës së Beratit, Barleti shënon se Mamica, e motra e Skënderbeut, e vajton vdekjen e të shoqit: “sipas zakonit të gjindjes”. Barleti shënon, se: “Unë me plot të drejtë do të kujtoja se të vjetrat e kanë quajtur këtë nemia (këngë e përvajshme). Dhe në të vërtetë, ata e kanë pasur zakon, që gjatë vajtimit të përmendeshin jo vetëm trimëria dhe veprat e shquara të të ndierit, por edhe trimëritë e etërve dhe të gjitha kujtimet stërgjyshore dhe lavditë e lashta të familjes”. Vajtimet popullore, duke thurur vargje kanë qenë një karakteristikë e folklorit shqiptar dhe e epikës së tij.

 

 

 

Barleti i njeh shumë mirë poetët e mëdhenj të Antikitetit, veçanërisht Homerin e Virgjilin. Kështu, Homerin, si poet të shkëlqyer e përmend dy herë. Për një sulm të Skënderbeut, Barleti shkruan se kështu vërtetohet me saktësi thënia homerike (varg): “Ndër virtytet vetëm trimëria ka shpesh sulme të furishme”. Kur Sulltan Mehmeti sulmon Krujën, Barleti vë në dukje: “Kështu edhe Agamenoni, sipas Homerit, donte një ditë, para se të perëndonte dielli, të rrënonte muret e shenjta të Trojës. “Por Zeusi i kishte hedhur gjetkë sytë, ai qeshte me lutjet e tij”. Kurse për një luftëtar shqiptar të kohës e karakterizon: “I gatshëm për gjithçka, i dhënë shumë dhe me zjarr mbas luftës, ashtu siç shkruan Homeri për Tideun, për të cilin thotë se ka qenë i pakët nga trupi, por luftëtar shumë i madh”. Barleti përmend edhe personazhe të tjerë të eposit homerik, si Akilin, Hektorin, kurse për Himenën e Uliksit, të cilën Homeri e përshkruan në këngën XI të “Odisesë” Barleti bën këtë shpjegim: “Ky është një vend malor kundrejt Korkyrës, ku banon një popull i pamposhtur dhe trim, që të mos them luftarak, të cilët i quajmë zakonisht himarjotë”.

 

 

 

 

 

Marin Barleti tërheq vëmendjen edhe për disa monumente kulture me vlera historike. Ai jep të dhëna shumë të rëndësishme për arkitekturën e qyteteve të Durrësit, Shkodrës, për kështjellat e tyre. Ai është i pari dhe i vetmi, që na jep të dhënën, për amfiteatrin e Durrësit, që sot është nxjerrë në dritë. Ai i njeh mbishkrimet e kishës së Shirgjit në breg të Bunës, ku përmendet Helena, e bija e Balduinit, kontit të Flandrës. Ai përshkruan edhe momentet të Raguzës, ujësjellësit të saj, përmend arkivin e saj etj. Po kështu, Barleti tregon edhe për qytetin e lashtë Sipontum, në breg të Adriatikut, në Apulinë veriore, si dhe dy vepra të shquara arkitektonike të Mesjetës: kishën e Shën Mikaelit e atë të Shën Joan Rotundit. Kjo shpreh faktin, që Barleti kishte njohje edhe për monumente, vepra arti, etj. të vendeve të tjera e sidomos të Italisë, ku pati zhvillim të madh kultura e re humaniste e Rilindjes Evropiane.

Barleti jetoi vitet e dy shekujve – gjysmën e dytë të shekullit XV dhe dy dhjetëvjeçarë të shekullit XVI.

 

 

 

 

Është jo vetëm humanisti më i madh shqiptar, por edhe një nga më të mëdhenjtë e Evropës në kohën e vetë. Veprat e tij u përkthyen në shumë gjuhë. Ato pushtuan zemrat dhe mendjet e njerëzve, të popujve, të kontinentit tonë të vjetër. Botimet barletiane janë të shumta dhe përbëjnë një bibliotekë të tërë. Ato për katër shekuj me radhë kanë qenë botime, që kanë përfaqësuar gjininë dhe kujtesën e shqiptarëve. Barleti është kështu i pari autor shqiptar me rëndësi botërore.

Meritat e Barletit janë të shumta. Ai është një atdhetar i shkëlqyer, ai ka ideuar konceptin e përparuar të atdhetarizmit, të bazuar në njësinë nacionale të shqiptarëve. Ai shkroi historinë aktuale të kohës së tij. Barleti është një mendimtar i madh dhe i fuqishëm. Është themeluesi kryesor i metodës së shkencës historike shqiptare, mund ta quajmë babanë e kësaj shkence. Njëkohësisht, në shekullin XVI do të shkëlqejnë emrat e figurave të tilla të mëdha si Buzuku dhe Onufri.

 

 

 

 

Barleti, Buzuku, Onufri, mund të konsiderohet si trinomi më i shkëlqyer dhe fondamental i kulturës shqiptare të shekullit XVI.

Shekulli XVI është një shekull, ku robëria osmane kërcënon ekzistencën e vetë kombit shqiptar. Kjo robëri është shkatërrimtare. Ajo është antikulturë dhe një nga momentet më të rrezikshme, më vdekjeprurëse të jetës mijëravjeçare të Shqipërisë. Po vetëdija e shqiptarëve ballafaqohet si kurrë ndonjëherë. Mund të thuhet në mënyrë proverbiale se koha që mpreh shpatat, mpreh dhe penat.

* * *

Marin Barleti është nderuar nga populli i tij. Ai është frymëzues i dijetarëve të mëvonshëm, i shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë, deri në shekullin tonë. Naim Frashëri e shkroi poemën epope: “Historia e Skënderbeut” pikërisht sipas historisë barletiane. Sami Frashëri flet në enciklopedinë e tij për Marin Barletin. Frang Bardhi, Budi dhe Bogdani, kanë shkruar dhe kanë folur për Barletin. Studimet barletiane frymëzuan dhe Fan Nolin, i cili mbas Barletit, deri tani është studiuesi më i madh që ka shkruar për Skënderbeun. Barleti është një epos i shpirtit shqiptar.     

 

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Biblioteka e Qytetit dhe Provinca Françeskane

E shtuna me nadje e mbramje kulturore në Shkodër