MENU

Raporti i kredive me problemet

Bizneset, kredimarrësit më të këqinj për bankat

09.05.2019 - 16:59

Bizneset mbeten kredimarrësit më të këqinj për bankat. Individët e sidomos, kreditë për shtëpi konsiderohen si huatë me risk të ulët.

Në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë ku analizohen kreditë e këqija mësohet se cilësia e kredisë paraqitet më e dobët për kredinë për bizneset, kredinë në valutë dhe kredinë me afat të mesëm maturimi. Sipas raportit mësohet se për vitin e shkuar, teprica e kredive me probleme të bankave të mëdha u zvogëlua me 10.4 miliardë lekë (ose me 20%), ndërsa raporti i kredive me probleme për bankat e mëdha ra në 11% nga 14%. Tkurrje në stokun e kredive me probleme është raportuar edhe nga bankat e mesme dhe të vogla. Raportin më të lartë të kredive me probleme e kanë bankat e mesme (11.6%), ndërsa raportin më të ulët e kanë bankat e vogla (8.8%).

Në përmirësimin e cilësisë së kredisë për grupin e bankave të vogla kanë ndikuar edhe ndryshimet strukturore në këtë grup banka.

Cilësia e kredisë në valutë të pambrojtur nga kursi i këmbimit është përmirësuar gjatë periudhës, duke vijuar prirjen e nisur që prej vitit 2015.

Në dhjetor 2018, kreditë me probleme për kredinë e pambrojtur në valutë shënuan nivelin më të ulët që prej vitit 2009, rreth 13 miliardë lekë. Raporti i kredive me probleme për këtë kategori kredie ra në nivelin 9.1%, nga 12.4% në fund të muajit qershor 2018. Ndikimin kryesor në përmirësimin e cilësisë së kredisë së pambrojtur e dha kredia në monedhën euro. Raporti i cilësisë për kredinë e pambrojtur në euro ra nga 12.9% në 9.4%, ndërsa për portofolin e kredisë së pambrojtur në dollarë amerikanë raporti i kredive me probleme ra në 7.3%, nga 9.2%. Në dhjetor 2018, raporti i kredive me probleme për secilin nga këto segmente shënoi përkatësisht 14.3% për bizneset, 13.1% kredinë në valutë dhe 12.5% për kredinë me afat të mesëm maturimi.

Raporti i kredive me probleme shënoi 11.1% në dhjetor 2018, duke rënë me 2.2 pikë përqindje gjatë periudhës dhe ndaj një viti më parë. Rënia e tepricës së kredisë së klasifikuar si “e humbur” me gati 19%, dha kontributin kryesor në përmirësimin e cilësisë së kredisë gjatë periudhës.

Kreditë e humbura vijojnë të zënë peshën kryesore të kredive me probleme (48%), por kjo peshë ka rënë në mënyrë të konsiderueshme nga niveli prej 58% i një viti më parë.