MENU
klinika

Fermerët gjejnë...

BSH: Ndërmarrjet bujqësore nuk marrin kredi nga bankat

11.05.2019 - 16:43

Ndërmarrjet bujqësore u drejtohen për hua në rastet shumta personave fizikë dhe nga institucione financiare jobanka dhe rrallë herë   bankave.

Huaja e marrë është përdorur më së shumti për të përballuar shpenzimet korrente të tyre (73% e ndërmarrjeve) dhe 46% janë shprehur se e kanë përdorur huanë për të bërë një investim afatgjatë.

Në lidhje me rezultatin financiar, 48% e ndërmarrjeve bujqësore pohojnë se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017, ai ka mbetur i pandryshuar, 37% e ndërmarrjeve pohojnë se rezultati financiar ka rënë.

Kurse 15% e ndërmarrjeve bujqësore pohojnë se rezultati financiar i tyre është rritur gjatë gjashtëmujorit të parë 2017. Këto janë gjetjet e Bankës së Shqipërisë në një vrojtim të posacëm mbi gjendjen financiare të ndërmarrjeve bujqësore, Banka e Shqipërisë zbuloi përgjithësisht një gjendje të mjerë.

Vrojtimi që u krye në gjashtëmujorin ë parë të vitit 2017 gjeti se, rezultati financiar i ndërmarrjeve bujqësore ka mbetur i pandryshuar ose ka rënë në krahasim me atë të një gjashtëmujori më parë.

Sipas raportit të BSH-së për zgjerimin e aktivitetit apo investimeve, pjesa më e madhe e ndërmarrjeve bujqësore (79% e tyre) pohojnë që as nuk e kanë zgjeruar aktivitetin gjatë gjashtëmujorit të parë 2017 dhe as nuk do ta ndryshojnë aktivitetin apo investimet gjatë gjashtëmujorit të dytë 2017.

Problematikat

Problemet kryesore të identifikuara nga ndërmarrjet bujqësore gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017 për veprimtarinë e tyre janë: problemet e lidhura me specifikën e sektorit, gjetja e tregut, konkurrenca dhe kostoja e financimit.

Burimi kryesor i financimit të ndërmarrjeve bujqësore janë shitjet dhe fondet e veta, ndërsa huaja është fare e papërfillshme. Vetëm 18% e ndërmarrjeve bujqësore kanë një hua për të paguar, ndërsa 82% e tyre raportojnë se nuk kanë.

Për sa i përket zgjerimit apo jo të aktivitetit (apo të investimeve), mesatarisht 78% e ndërmarrjeve bujqësore pohojnë se nuk e kanë ndryshuar aktivitetin gjatë gjashtëmujorit të parë dhe presin që të mos ketë ndryshime as gjatë gjashtëmujorit të dytë 2017.

Subjekteve bujqësore iu kërkua të klasifikojnë vështirësitë që ato kanë hasur lidhur me disa tipare që janë: aksesi në financim, kostoja e financimit, disponueshmëria e stafit të kualifikuar, kostoja e prodhimit ose e punës, konkurrenca, gjetja e tregut, përshtatshmëria e legjislacionit në fuqi apo të tjera veç këtyre.

Subjektet vlerësuan me notat nga një (shkalla më e ulët e vështirësisë) deri në dhjetë (shkalla më e lartë e vështirësisë) problemet e sipërpërmendura.

Ndërmarrjet bujqësore evidentojnë se faktorë të tjerë, gjetja e tregut, konkurrenca dhe kostoja e financimit janë ndër problemet kryesore me të cilat ato janë përballur kryesisht gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017).

Rezultatet e vrojtimit të paraqitura në grafik tregojnë që aksesi dhe kostoja e financimit janë gjithashtu një pengesë e rëndësishme e vlerësuar nga ana e tyre.