MENU
klinika

Inflacioni pritet 1.7%

BSH: Zbehet efekti i kursit në gjysmën e dytë të vitit

18.05.2019 - 16:06

Banka e Shqipërisë pret një inflacion prej 1.7% për vitin 2019.

Rënia e ndjeshme e inflacionit në muajt e parë të vitit pritet të ketë ndikim në ecurinë mesatare të këtij treguesi për vitin në vazhdim, duke bërë që rritja e çmimeve të jetë më e dobët krahasuar me vitin e kaluar.

Për tremujorin e parë të vitit, inflacioni ishte 1.6%, në rënie të mëtejshme nga vlerat e tremujorit të fundit të vitit të kaluar.

Sipas Bankës Qendrore, rol përcaktues në ecurinë e inflacionit në këtë tremujor luajtën faktorë të ofertës. Rritja që pësuan çmimet e qirave dhe ujit një vit më parë u shua në fillim të këtij viti, duke sjellë uljen e kontributit të këtyre grupeve në formimin e inflacionit total.

Krahas këtij efekti, inflacioni i çmimeve të shërbimeve u ngadalësua dhe inflacioni i çmimeve bujqësore shënoi një reduktim të fortë në muajin mars.

Gjithashtu, një rol shumë të rëndësishëm ka pasur edhe efekti i mbi çmimit të lekut në kursin e këmbimit.

Banka e Shqipërisë vlerëson se transmetimi i efekteve të kursit në inflacion arrin pikën më të lartë pas katër tremujorësh.

Duke qenë se forcimi i lekut me ritme të shpejta ndodhi në tremujorin e parë dhe të dytë të vitit të kaluar, efektet në inflacion po përcillen më fort në gjysmën e parë të vitit 2019.

Megjithatë, Banka Qendrore pret që pas mesit të këtij viti, efekti i kursit të këmbimit në inflacion të zbehet.

Kjo pritet të sjellë një rritje graduale të inflacionit pranë intervalit të poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të arrijë objektivin prej 3% në gjysmën e parë të vitit 2021.