MENU
klinika

Konferenca

Buxheti për strehimin/ Denaj: Në 2019 është rritur me 30%

02.05.2019 - 15:45

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me Komisionin Ekonomik të Evropës të Kombeve të Bashkuara (UNECE) dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Vendbanimet Njerëzore (UN-Habitat), organizon në datat 2 dhe 3 Maj 2019 konferencën “Arritja e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Shqipëri”.

Qëllimi i kësaj konference është forcimi i kapaciteteve kombëtare për hartimin e politikave të bazuar në dëshmi apo evidenca për strehimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm urban me fokus strehimin.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ishte e pranishme sot në hapjen e punimeve të konferencës dhe theksoi gjatë fjalës së saj se strehimi është një nga objektivat socialë të shtetit shqiptar, sanksionuar dhe në Kushtetutë, dhe është në fokus të politikave qeveritare.

Në përmbushje të këtij objektivi është miratuar Strategjia për Strehimin Social 2016-2025, që përcakton angazhimet afatgjata të qeverisë në mbështetje të funksionit të njësive vendore në fushën e strehimit, si dhe është miratuar vitin e kaluar ligji i ri “Për strehimin social”, i cili parashikon disa programe që adresojnë shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe situata të ndryshme strehimi.

Ministrja tha se politikat qeveritare janë shoqëruar me buxhete konkrete, duke bërë që buxheti për strehimin në vitin 2019 të rritet me 30 për qind në krahasim me një vit më parë.

Megjithatë, znj. Denaj vuri në dukje se në vijim kërkohet një rritje e përgjegjshmërisë së njësive vendore dhe akordimin e fondeve nga të ardhurat e tyre për rritur impaktin te komuniteti.

“Për këtë arsye, këtë vit është vendosur se një nga kushtet për të përfituar fonde buxhetore është kontributi i jo më pak se 20 % të kostove të projekteve të mbulohet nga të ardhurat e vetë bashkive”, u shpreh Ministrja Denaj.

Të pranishëm në aktivitet ishin z. Brian J. Williams, Koordinator Rezident i Kombeve të Bashkuara për Shqipërinëkryetari i bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj; përfaqësues nga UNECE dhe UN-Habitat, si dhe përfaqësues nga institucione të ndryshme shtetërore.

Rëndësia e këtyre Politikave është veçanërisht e lidhur me objektivin 11: më specifikisht objektivin 11.1, i cili thotë se: “deri në vitin 2030, duhet të jetë siguruar për të gjithë aksesi në strehim dhe me shërbime bazë të përshtatshme, të sigurta dhe të përballueshme, dhe të jenë përmirësuar vendbanimet e varfëra”-tha ministrja.

Vitin e kaluar u miratua ligji i ri “Për strehimin social”, i cili parashikon disa programe që adresojnë shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe situata të ndryshme strehimi.

Ndërkohë, këto politika janë shoqëruar dhe me buxhete. Në vitin 2019, buxheti për strehimin pësoi një rritje prej 30% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë janë ndërtuar gjithsej 1,138 apartamente sociale me qira, të cilat janë në pronësi të 8 bashkive, me fondet e veta të ndërtuara dhe nga viti 2011 janë 570 apartamente në programin e banesave me kosto të ulët; Janë dhënë rreth 4,000 kredi me interesa të subvencionuara nga buxheti i shtetit. Politikat e strehimit pas vitit 2013 kanë një fokus më të përqendruar në zgjidhjen e problematikave në familjet e varfra dhe të pa favorizuara, si familje të minoritetit rom e egjiptian, gra të dhunuara, familje një prindërore, persona me aftësi të kufizuara, etj..

Gjatë viteve 2014-2018 janë ndihmuar rreth 1,700 familje për të paguar qiranë e banesës në treg dhe rreth 1,200 familje me investime për përmirësimin e kushteve të banimit.