MENU
klinika

E fejuara u vetëvra fill pas tij

Cili ishte vërtet Kajo Karafili, pse dhe si u vra?

17.05.2019 - 14:48

KAJAN (KAJO) KARAFILI

          10 FAKTE

 

  • Kajan Karafili është një nga pjesëmarrësit më të spikatur të rezistencës në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
  • Kajan Karafili mban autorësinë e shumë atentateve të kryera gjatë luftës.
  • I ati i Kajo Karafilit, kishte vdekur në burg. Ai ishte dënuar me 20 vjet burg për plagosje.
  • Në moshën 12-vjeçare Kajan Karafili u arrestua, sepse qëlloi me shishe në kokë njeriun që i kishte turpëruar babanë.
  • Në moshën 16-vjeçare Kajan Karafili plagosi rëndë me pistoletë në fshatin e vet tagrambledhësin Sabri Telhahi, për të mos i paguar taksat.
  • Kajan Karafili vrau Sef Agën, si personi që turpëroi të atin. Agai e kishte arrestuar të atin e Kajo Karafilit dhe qëndrimi në burg i solli vdekjen.
  • Pas vrasjes së Sef Agait, Kajan Karafili u arratis në Jugosllavi. Pas pushtimit të Shqipërisë, erdhi në Shqipëri dhe menjëherë iu bashkua çetës së Myslym Pezës.
  • Kajo Karafili dhe Ramazan Habili kishin qënë të dy partizanë të çetës së Pezës me komandant Myslym Pezën, Kajo Karafili dhe Ramazan Habili kishin pasur mosmarrëveshje që gjatë kohës që ishin në çetën e Pezës.
  • Kajo Karafili kishte vrarë Neki bej Starovën, mikun e ngushtë të Abaz Habilit, babait të Ramazan Habilit.
  • Myrvete Peza, e fejuara e Kajan Karafilit, vrau veten sapo mësoi si ai ishte vrarë.

 

DEKLARATA TË BUJSHME PËR VRASJEN

Myslym Peza, komandant i çetës së Pezës

“Kur kisha Kajon në krah, sikur kisha një batalion”

 

 

10 MISTERE

1-Përse historiografia komuniste nuk e kishte bërë asnjëherë publike me detaje vdekjen e Kajo Karafilit?

2-Si ka mundësi që ai cilësohej si atentatori më i sprovuar komunist, nuk kishte një histori të saktë sesi ishte vrarë, por mjaftohej me fjalët “në përpjekje me forcat gjermane e balliste”.

3-Përse në të gjitha librat e historisë gjatë sistemit komunist nuk është dhënë asnjëherë në fakti se Kajan Karafili u strehua në Jugosllavi, pas arratisjes nga Shqipëria?

4-Si ka mundësi që në monografitë për Kajo Karafilin, ka shumë pasaktësi dhe shtrembërime të fakteve??

5-Si ka mundësi që në këto monografi edhe vetëvrasja e të fejuarës së Kajan Karafilit, Myrvete Pezës, është dhënë si vrasje në përpjekje me forcat gjermano-balliste??

6-Si ka mundësi që Kajan Karafili dhe Ramazan Habili, dy armiq për vdekje, u  bënë të dy pjestarë të çetës së Pezës?

7- Si ka mundësi që komandanti i çetës, Myslym Peza, nuk e zgjidhi këtë mosmarrëveshje që çoi në vrasjen e të dyve?

8-Si ka mundësi që nuk është bërë publike as vrasja e Ramazan Habilit, vrasësit të Kajan Karafilit?

9- Si ka mundësi që është mbajtur e fshehtë edhe mënyra e vrasjes së Ramazan Habilit me anë të helmimit?

10-Si ka mundësi që hakmarrja e regjimit komunist ndaj Ramazan Habilit shkoi deri në fund, duke ia shëtitur kufomën në qztetin e Kavajës, ashtu siç kishte bërë ai me kufomën e Kajan Karafilit?

 

TË DHËNA NË SHIFRA

     11 DITË –Pas vrasjes u zbulua varri dhe u nxor kufoma e Kajo Karafilit.

      4 DITË-Me radhë e ekspozuan kufomën e Kajo Karafilit në Kavajë dhe 1 ditë në Shijak.

 

Vrasja e Kajo Karafilit është nga ato ngjarje që nga largësia e viteve vijnë me tjetër variant, por që në fakt është pjesë e një skenari që nga largësia e viteve vijnë me tjetër variant, që në fakt është pjesë e një skenari krejt ndryshe. Eleminimi i Kajo Karafilit atë të hënë të 10 Janarit 1994, kalon përmes dy versioneve që kundërshtojnë njëri-tjetrin.Versioni i dhënë nga historiografia komuniste ishte se, në cilësinë e komandantit të batalionit partizan në zonën e Kavajës, ai u vra në përpjeke me forcat gjermane.Versioni i dytë e kundërshton të parin, sipas këtij, Karafili ra pre e një hakmarrjeje personale, duke u ekzekutuar me snajper. Autori ishte Ramazan Habili, dikur bashkë me Kajo Karafilin pjestar i çetës së Pezës. I ati i Ramazan Habilit, Abaz Abili, kishte pasur miqësi me Neki bej Starvovën, të vrarë kohë më parë nga Kajo Karafili. Për këtë ai mori hak, duke vrarë Karafilin.

 

 

SI U ORGANIZUA VRASJA

Pë afro 50 vjet vrasja e Kajan Karafilit, kishte vetëm një version.Gjithçka ka kaluar vetëm nëpërmjet frazës ”është vrarë në përpjekje me trupat pushtues”. Por, si ka mundësi që për një hero të këtij kalibri historiografia komuniste të mos jepte detaje? Duket se ngjarja ka qenë e shoqëruar me fakte misterioze dhe si e tillë, ai sistem nuk mund të merrej kurrë me të. Tashmë kemi dy versione se si është vrarë Karafili.

VERSIONI I PARË VRASJE NË BETEJË

Ky është ende versioni zyrtar i vrasjes, i dhënë vetëm pak vite pas përfundimit të luftës së Dytë Botërore. Historianët më shumë janë marrë me nderimin e figurës së Kajan Karafilit sesa me mënyrën si u vra. Më 10 Janar 1994, një repart partizan, komandant i të cilit ishte Kajo Karafili, sulmoi në afërsi të qytetit të Kavajës një autokolonë gjermane. Ushtarët gjermanë iu kundërpërgjigjën partizanëve dhe nga kjo, mbeti i vrarë pikërisht komandanti Kajo Karafili. Në një monografi të posaçme kushtuar atij, gjithçka që lidhet me vrasjen kalon tangjent dhe pa asnjë hollësi. Autori e jep deri me nota humori reagimin e partizanëve.

“Por, kur suksesi dukej i sigurt për ne, me asnjë shpresë shpëtimi për mbeturinat e kolons gjermane, nji plumb armik rrëzon pa frymë vetë komandantin Kajo. Partizanët e egërsuem sulmojnë ma me ashpërsi që për së afërmi anmikun. Të tjerë nazistë vriten.”

12 ditë më vonë, Partia Komuniste jep njoftimin e parë për vrasjen e Kajo Karafilit. Në komunikatën tip trakt, nxjerrë më 22 shkurt, shkruhej:

“Kajani luftoi dhe ra si burrë. Të tjerë komandantë simbas shembullit të udhëzimeve të tij do t’i drejtojnë shokët me sukses deri në fitore. Ne që kemi dalë nga gjini i popullit, i  cili ka burime të pashteruna, humbëm një luftëtar, por shumë të tjerë lindin. Vdekje Fashizmit, liri e popullit”

Por, notat e humorit të pavetëdijshëm partizan vazhdojnë edhe më tej në monografinë për heroin. Nuk ka asnjë dyshim që e fejuara e Kajo Karafilit, Myrvetja, vrau veten sapo mësoi se Kajoja ishte vrarë. Por, në monografi edhe ajo bëhet heroinë duke u dhënë krej e kundërta.

“Një tjetër plumb armik goditi komisarin trim Mystafa Lleshi, mas tij edhe partizanin fshatar Bajram Tushën dhe partizanen Myrvete Shyqyri Peza”

Historiografia komuniste e bën më trim trimin e saj, ndërsa nuk lë pa përmendur episodin e nxjerrjes së kufomës dhe të shëtitjes së saj në qytetin e Kavajës, duke e shoqëruar edhe me arsyet e këtij veprimi makabër.

“Për të bindur popullin se ai kishte vdekur forcat pushtuese u detyruan ta zhvarrosnin trimin e maleve dhe të vdekur i bënin xhiro në qytetin e Kavajës, pasi ai dhe ashtu i vdekur i ngjallte frikë e panik okupatorit”.

 

 

VERSIONI I DYTË EKZEKUTIM ME SNAJPER

Kajo Karafili ishte komandant batalioni në zonën e Kavajës kur në një ditë shtatori organizoi dhe kreu një aksion duke kapur e rrëmbyer një ushtar gjerman që ishte në vendroje,në kazermat e ushtrisë. Pasi e dërgojnë në shtabin e batalionit në një kodër të zonës,afër fshatit Lis-Patros, Kajo Karafili priste nga momenti në moment ekzekutimin e tij. Por, falë aftësive dhe mungesës së vigjilencës, ushtari gjerman arriti të shpëtojë, të largohet dhe të kthehet në Kavajë. Aty në bashkëpunim me miq që kishin njohje me shqiptarët kontakton me Ramazan Habilin, të cilit i tregon të gjithë ngjarjen. Duke ditur vendin ku ndodhej shtabi i batalionit, Ramazani shkon në afërsi të shtabit dhe me anë të një pushke snajper qëllon duke e lënë të vdekur Kajo Karafilin. Partizanët e tjerë nuk arrinin të kuptonin se çfarë po ndodhte dhe u hallakatën duke qëlluar kot në ajër. Por vrasja ishte kryer dhe komandanti i tyre nuk jetonte më. Trupi i Kajanit u varros në një vend të fshehtë dhe për partizanët ai nuk kishte vdekur. Kjo u shoqërua me shpërndarjen e trakteve nëpër Kavajë në të cilat shkruhej se Kajoja ishte gjallë. Kjo ngjalli reagimin e Ramazan Habilit. Për të bindur opinionin ai shkoi në vendin e krimit dhe i bindur që e kishin varrosur aty rrotull,nisi kërkimet. Pas një jave kërkimesh, Habili e zbuloi vendin ku ishte varrosur trupi i Kajo Karafilit, por këtë veprim e shoqëroi me një tjetër plot makabritet. E nxori kufomën nga varri, e transportoi për në Kavajë dhe në qytet e ekspozoi për t’u tregur dhe vërtetuar banorëve, se Kajo Karafili nuk jetonte më.

 

VRITET VRASËSI I KAJO KARAFILIT

Por, vrasja e Kajo Karafilit solli edhe vrasjen e vrasësit së tij, Ramazan Habilit. Në fakt nuk kemi të bëjmë me një vrasje tipike me armë. Por sipas të dhënave, ai u helmua. Pas luftës së Dytë Botërore Habili ishte pjesë e listës së personave në kërkim nga regjimi komunist, i cilësuar si kriminel lufte. Me këtë status, ai jetonte i fshehur. Agjentët e Sigurimit të Shtetit ishin vënë në ndjekje të tij. Pasi u zbulua vëndi ku fshihej, agjentët inflirtuan një banor të zonës që e furnizonte me ushqim. Në një nga ditët që ai i dërgoi për të ngrënë, i hodhi helm në ushqim, nga konsumimi i të cilit Habili vdiq. Por, hakmarrja nuk kishte mbaruar me kaq. Kufomën e Ramazan Habilit e ekspozuan dhe e shëtitën në qytetin e Kavajës, në të njëjtën mënyrë siç kishte bërë ai më kufomën e Kajo Karafilit.

 

VRASJA E KAJOS QË SOLLI VETËVRASJEN E SË FEJUARËS

E fejuara e Kajo Karafilit, Myrvete Peza, nuk e përballoi dot humbjen e burrit të saj.Sapo mësoi vdekjen e tij, ajo e vrau veten me një pistoletë “Beretta”. Teksa jepte shpirt nxori nga xhepi një monedhë floriri, dhuratë e Myslym Pezës për ta bërë unazë dhe u tha miqve aty pranë:

Jepjani Babës!

Shkëputur nga libri me autor Roland Qafokun: “100 VRASJET MË TË BUJSHME”

(Në historinë e shtetit shqiptar në të gjitha trojet shqiptare )

1912-2017