MENU
klinika

Delon dhe një rrëfim ndryshe

“Më kanë gjuajtur gratë mua, asnjëherë e kundërta”

22.05.2019 - 17:56

   Duhet ta besojmë kur thoni: “nuk do të bëj më filma”?

Sigurisht! Po, kam lënë një portë gjysmë të mbyllur, sepse është e qartë se nëse një regjisor i kalibrit të Spielbergut, Polanskit, apo Besonit të ofrojnë një rol, në filmat e tyre të ardhshëm, nuk mund të refuzohet. Një projekt i ngjashëm me “Lista e Shindlerit”, për shembull, nuk ka sesi të më linte indiferent. Por është po kaq e vërtetë, se nuk jam unë që do të kërkoj role.”

Përse keni vendosur ta mbyllni karrierën?

Sepse kam luajtur shumë role, është e nevojshme të dish të ndalësh, për t’u lënë vendin të tjerëve. E urrej luftën e ambiciozëve dhe aq më tepër, filmat vetëm për këtë arsye. Karriera ime ishte e veçantë, me plot kuptimin e fjalës: ishte një karrierë e “jashtëzakonshme” sepse arrita të punoj me regjisorët më të mëdhenj: Visconti, Losey, Clement, Melville, Antonioni. Dua që publiku të ruajë në kujtesë një imazh të bukur për mua. Nuk do të doja të arrihej deri aty sa të thonë, siç kam dëgjuar shpesh për aktorë të tjerë: “E pabesueshme, Alain Delon!.. Si qenka bërë!”. Nuk dua të arrij në nivelin sa të më mishërojnë: është e drejta ime, është çështje dinjiteti dhe respekti për publikun, për veten, si dhe ndaj këtij profesioni që më ka dhënë aq shumë.

 

 

 

 

Është një zgjidhje e dhimbshme, e vështirë?

-Jo, jeta ime ka qenë aq e pasur… Kam një pafundësi kujtimesh, imazhesh të mrekullueshme në mendje dhe zemër. Jam nga ata që e duan të kaluarën, si Mopasan që psherëtinte me nostalgji: “Lamtumirë, gjëra të së djeshmes, ju dua shumë…”. Më pëlqen t’i kujtoj më shumë për të projektuar të ardhmen, që më rezulton shumë më pak e vështirë, duke parë se kam provuar lumturi të pamasë që jam bërë dy herë baba, në 55 vjeç dhe në 58 vjeç; ndërsa në vend të mendosh vetëm për vete, mund të dëgjosh fëmijët, t’i kuptosh, t’i shohësh ata të rriten, t’i shoqërosh në shkollë, është gjëja më e bukur që provon njeriu. Ia uroj kujtdo një fat të tillë, madje edhe armikut tim më të madh!”

Flisni për rolin e babait, sit ë jetë një zbulim…

Për fat të keq, po… Nuk jam i sigurt, nëse djali im i parë më ka falur. Nuk kam diskutuar me të, s’kemi bërë paqe, por do ta bëjmë. E dëshiroj me gjithë zemër, pasi kemi nevojë të dy… e më shumë ai, duke pasur parasysh se qeshë unë që u zhduka i pari.”

Si e shpjegoni këtë disfatë?

– Kur lindi Antoine (Antuani) isha tridhjetë vjeç. Nuk isha bërë ende i famshëm, rrethanat bënë që të më ndodhte pikërisht ajo që nuk kisha dashur kurrë: të evitoja fëmijërinë time, të birit të prindërve të divorcuar, tek im bir. Megjithatë, bilanci ka qenë më pozitiv për Antuanin: ai ka qenë jo kaq i lumtur, po të paktën nuk i ka munguar ndihma ime, jam kujdesur për të. Ndërsa unë, jam përplasur sa në një konvikt në tjetrin dhe e kam ndier veten të braktisur që kur isha tetë vjeç.”

 

 

 

Kjo fëmijëri e plagosur ka ndikuar, ka lënë gjurmë mbi temperamentin tuaj si aktor?

-Besoj se po. Në fund të fundit, karriera ime ka diçka të mrekullueshme. Përveç muajve të parë të jetës, atëherë kur kujdesej një dado, unë mbeta në konvikt deri ditën e fundit, që më thirrën në ushtri. Bëra miq e kështu u nisa për në Indokinë. Më vonë, pasi e bëra veten që të më dëbojnë nga ushtria, për fajin tim, kam bërë çdo lloj zanati. Pastaj takova një grua, Michele Cordone, gruaja e parë e Henri Vidal, dhjetë vjet më e madhe se unë. Falë ndërhyrjes së saj, më dhanë një rol në një film titulluar “Godot”, ku kam recituar në krah të Edëige Feuillëre, Jean Servais e Bernard Blier. Kur filmi doli, vëmendja u përqendrua menjëherë, – pothuaj ashtu siç ndodhi me Leonardo Di Caprio, te filmi “Titanik”, – mbi aktorin e ri, të panjohur, që isha unë. Një rast i pastër, fat i padiskutueshëm, tashmë isha bërë i njohur dhe kurrë nuk e ndala punën. Sigurisht, nëse profesioni nuk do të më pëlqente, do të kisha dalë ashtu siç hyra.”

Po atëherë, çfarë do të kishit bërë?

Në atë kohë më pëlqente të bëhesha ushtarak! Një trup që e respektoj, e admiroj janë Repartet Speciale. Për mua, ushtria është njëlloj si shtylla kurrizore për një vend. Katër vjetë në shërbimin ushtarak, periudhë jo e shkurtër, duhet të më kishin mjaftuar, në fakt është një nga periudhat më të bukura të jetës time: atje gjeta një familje, miq dhe vlera që më mungonin.”

Pikërisht, cilat janë vlerat me të cilat ju jeni lidhur?

Familja, rrethi shoqëror, të afërmit, janë ato më të rëndësishmet, nga të cilat rrjedhin gjithë të tjerat: dashuria, respekti, ndershmëria, drejtësia, guximi, solidariteti, gjithçka nis nga aty. Fëmijët janë pothuaj pasqyra e prindërve. Nëse ata janë të izoluar nga shoqëria, në shumicën e rasteve përgjegjësia është e atyre që i kanë rritur. Në këtë kuptim, unë jam një baba shumë i dobët: kur ime bijë nuk do që ta përsërisë mësimin, unë lëshoj pe, ndërsa e ëma është më e fortë! Por pak më pas, të qarat më këpusin shpirtin edhe pse, tashmë nuk ma hedhin dot. S’më kujtohet, se cili poet ka thënë: “Nuk ka vogëlushe, ka vetëm gra (femra) të reja! Janë djallushe!”

 

 

Rroftë familja, rrofshin fëmijët, po stina e dashurisë mori fund?

Po. Nuk do të dëshiroja kurrë të trondisja ekuilibrin afektiv të fëmijëve të mi. Po mbi të gjitha, ndihem i kënaqur: dua një grua, kam dy fëmijë të mrekullueshëm, janë mëse mjaftueshëm për jetën. Vlen të them deri sa të vdes, sepse unë jam 30 vjet më i madh se gruaja ime dhe 50 vjet më i madh se fëmijët, është detyra ime që t’i përgatis për të ardhmen.”

Të duket e vështirë ta besosh se ju keni qenë gjithmonë kështu: i urtë, i sinqertë me gratë?

– I sinqertë në cilin moment? Kur i thua një gruaje që të pëlqen, apo kur i thua që e do? Ka rrezik t’ju zhgënjej, po t’ju pohoj se jam i ngathët karshi grave, madje i hutuar. Nuk kam qenë kurrë i shkathët, madje është diçka që e urrej. Kanë qenë gjithmonë gratë, që më kanë ndaluar, që më kanë dalë përpara, jo e kundërta. Mos e shihni aspak si mburrje, pasi rregulli është pothuaj universal: është gruaja që ia bën kërkesat kujtdo, kur do dhe si do.

Të mos e përgjithësojmë shumë…  sidoqoftë, gjithmonë keni qenë ju që i keni lënë?

– Absolutisht, jo! Ndoshta më shumë herë më kanë lënë ato mua, sesa unë ato!

Përse nuk keni lejuar botimin e ndonjë biografie tuajën? Ju bezdis?

Në kundërshtim me armiqtë e mi, që nuk kanë pasur asnjë ngurrim dhe kanë përhapur deklarata në të gjitha mediet, unë nuk kam dhënë shpjegime ndaj çdo komenti. Nuk do të filloj tani, sigurisht. Nuk më pëlqen të shpjegoj “përsenë” e veprimeve të mia, pas vendimit”.

 

 

 

Pra, ju e kundërshtoni, nuk jeni dakord me të drejtën e transparencës që tashmë është folur shumë, e sidomos në SHBA me çështjen Klinton-Levinski?

Nuk do të dëshiroja të humbisnim fillin, me debatin për këtë histori, aq (në modë) i përhapur në sallonet pariziane. Personalisht, e konsideroj këtë çështje, si të shëmtuar. Më duket se Klintoni është lodhur, jo për shkak të fakteve që i kanë kundërshtuar, por për mënyrën e përtypjes së kësaj krize. Ndoshta jam një plak budalla, por e konsideroj të padenjë dhe të turpshme që burri më i fuqishëm i planetit – ky që mund të lëshojë raketa kundër një vendi, pa i dhënë llogari, në fakt, askujt, – duhet të bëjë akte pendese dhe ndërmarrje të ndryshme, duke u poshtëruar aq dukshëm në mënyrë vulgare, publikisht… Kenedi ka bërë më shumë se ai; i vetmi ndryshim, që i ka bërë “më mirë”. Më dukej patetike Hilari Klinton, me tentativat e saj ngulmuese të kapjes pas pushtetit. I gjykoj revoltuese abuzimet e prokurorit, të pakëndshme lëkundjet e popullit amerikan dhe thellësisht skandaloz, qëndrimin e medies. Kjo “valëvitje flamujsh” e kallëpeve të ndyra, është groteske. (Kredibiliteti i një vendi si SHBA-ja, nuk mundet veçse të dalë i tjetërsuar). Historitë e kravatave, cigareve, shpallur një bote të tërë përmes rrjetit, më ngjallin neveri. Është një kohë e çmendur”.

Ndoshta, situata të ngjashme mund të shpërthejnë edhe në Francë?

Sigurisht, jo! Në Francë, sikurse në përgjithësi në Europë, kemi një lloj sensi mase që nuk na lejon t’i kapërcejmë kufijtë, jo për tjetër gjë, veçse për të shpëtuar bërthamën familjare. Në Amerikë, kanë harruar që Klintonët kanë një vajzë, të cilës, kjo histori do t’i ngulitet në mendje përgjithmonë”.

Thuhet pëgjithësisht pushteti i gjykatësve të kall datën?

– Mua personalisht, jo, sepse jam mësuar të marr përgjegjësinë e veprimeve të mia. Megjithatë, shënoj që fenomeni i gjykatësit të plotfuqishëm, që të burgos zyrtarisht, ka ardhur si infektim nga Italia. Ndërsa fuqia e gjykatësve francezë, që të kallin datën, mund të vlerësohet më mirë nga shpenzimet që ka bërë një miku im: do të habiteni, bëhet fjalë për Marlon Brandon. Kur e bija Cherokee, u strehua në Loiret, pati një konflikt me një gjykatës francez. Gjërat shkuan aq larg sa, më vonë, ai më shkruante një letër tepër prekëse, ku thoshte se kurrë nuk do të kishte mundur të besonte që në Francë, një njeri i vetëm të mund të kishte një forcë të tillë. Pushtetin që t’i bëjë keq një familjeje të tërë dhe të bëjë të vuajë deri në atë pike, një çupëlinë. Fundi i saj ishte tragjik: vrau veten”.

Ç’mund të më thoni, për marrëdhëniet me Gjeneralin Lebed? Është miku juaj i madh…

“Shihni,.. unë veproj gjithmonë sipas instinktit, impulsit dhe pasionit. Me Lebed, miqësia ishte e menjëhershme! E njoha rastësisht në korridoret e “Antenne 2”. Folëm me njëri-tjetrin, biseduam, shfaqi një lloj admirimi për mua si aktor, folëm për ushtrinë e natyrisht, shprehëm simpatinë reciproke. Më vonë u pamë sërish, me rastin e vizitave të tij private në Francë e kemi folur pak për gjithçka: për aksionin ushtarak në Çeçeni, për aspiratat e tij politike, për ambicionet e tij lidhur me vendin e tij, për admirimin e tij për Napoleonin dhe për Gjeneralin de Gaulle. Më është dukur i sinqertë dhe i bëra të ditur, se nëse një ditë do të kishte nevojë për mua, mund të më thoshte. Nga ana ime, ishte më tepër një gjest kortezie, ndërsa ai, kohë më vonë më ftoi në Siberi, kur ishte kulmi i fushatës elektorale! Nuk mund ta haja fjalën. Shkova dhe menjëherë u përhapën zërat, se isha i paguar. Qesharake!”

 

 

 

 

Ju e admironi këtë personazh?

Besoj se ai e do vendin e vet dhe i trembet kthimit të komunistëve. Po duhet thënë, se pas copëtimit të Bashkimit Sovjetik, Rusia mbeti jashtë botës. Me përulësi, Rusia, që nuk është fuqi e madhe, po zhduket bashkë me më të moshuarit e saj. Lebed do të donte që me demokracinë, atdheu i tij të rifitojë pozitën që i takon.”

Mbështetja juaj atje, qe e dobishme?

– Për çudinë time të madhe, më duket se po! E ka pohuar edhe një zë me autoritet, si Helen Carrëre d’Encausse.”

Po nëse do të kërkonte përsëri ndihmë, do ta ndihmonit?

-Po, unë i çoj gjërat deri në fund.

Shpesh, ju jeni në krah të personaliteteve politike me përkatësi shumë të ndryshme…

Gjithmonë në krah të personave që admiroja. Di të nderoj ndonjë që ka qenë i braktisur nga të poshtrit: i kam shkruar një letër të hapur Miteranit, kur të gjithë i kthenin shpinën, sepse mendoja se kisha disa gjëra për t’i thënë. Sot jam i lumtur e krenar, për atë që kam bërë e nuk mohoj asgjë”.

Në fakt, ju jeni një njeri i shquar… Po më duket, se keni një karakter të keq?

Dëgjoni, unë kam karakter, jo “karakter të keq”. Jam i tillë, që nuk bëj lëshime në jetë. Nuk më pëlqejnë goditjet pas shpine, përqafimet e shtirura, mburrjet dhe mendoj se, siç thotë Koktoja (Cocteau), “hipokrizia nuk të fsheh”. S’jam njeri që bëj kompromise. Nëse gënjen ose tradhton, miqësia ka mbaruar. Njoh të mirat dhe të këqijat e mia, dhe mund t’ju siguroj që në përmbajtje kam të drejtë 99 herë në 100. Për sa i përket mënyrës, e pranoj se shpesh jam shumë i ashpër. Po, doni mirëbesim? E pranoj përgjegjësinë.” /Konica.al

 

Përshtati: Hera Lera

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


As qenin s'do doja ta lija vetëm...

Alain Delon: E urrej botën

Nderohet në moshën 83-vjeçare

“Palma e artë” mitit të kinemasë franceze