Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në një vizite në një sipërmarrje fasonësh e cila po zhvillon aktivitetin ekonomik në qytetin e Beratit.
Ministrja i beri të ditur biznesit angazhimi i qeverisë për të shtuar ndjeshëm rimbursimin e TVSh-së pritet të arrijë ritmet normale brenda këtij tremujori dhe nisur nga muaji korrik normalizohen pagesat e rimbursimeve disa kategori biznesi, duke i bërë ato në mënyrë periodike.
Denaj gjatë vizitës është njohur nga afër me zhvillimin e këtij biznesi dhe me sfidat që kjo sipërmarrje has në aktivitetin e saj. Kompania ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së, duke lehtësuar në këtë mënyrë veprimtarinë e saj ekonomike.
Ministrja shprehu angazhimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të paguar të gjithë rimbursimet e prapambetura në një kohë sa më të shpejtë. Gjithashtu ajo informoi se, vetëm në vetëm në muajt e parë të vitit 2019 janë paguar afro 12 milionë dollarë, apo 28 për qind më shumë rimbursime se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
“Në këto 5 muaj ne kemi paguar 12 milionë dollarë më shumë se sa 5 muajt e vitit 2018 dhe besoj se deri në fund të qershorit do të kemi mbyllur të gjithë vonesat për fasonët, për grumbulluesit dhe eksportuesit, në një prioritet që i dhamë me pagesat e TVSH-së për secilën nga këto industri dhe për të gjithë bizneset të monitoruar dhe nga niveli qendror ministrisë”, -tha Denaj, duke theksuar se nisur nga muaji korrik do të synohet normalizimi i pagesave të rimbursimeve të TVSh për këto kategori biznesi duke i bërë ato në mënyrë periodike.
Sipas njoftimit, Kompania Center Shqiptare dhe Intext po ushtrojnë aktivitetin ekonomik në sektorin fason që prej 20 vitesh duke pasur një impakt të jo pak të vogël në nxitjen e punësimit në rajonin e Beratit. Kompania në fjalë ka një numër të konsiderueshëm punonjësish dhe planifikon zgjerimin edhe me 1 mijë të tjerë në të ardhmen.
Gjithashtu, një ndër çështjet që drejtuesit e kompanisë ngritën në diskutimet me Ministren e Financave dhe Ekonomisë ishte ajo e trajnimeve profesionale për një fuqi punëtore më të kualifikuar.