“Kosova në Samitin e Berlini ka dalë shumë mirë, pozicioni ynë ka qenë shumë i qartë”, kështu është shprehur presidenti Thaçi në një konferencë për mediat pas kthimit nga Berlini.
Thaçi theksoi se në Samit është diskutuar liberalizimi i vizave dhe dialogu me Serbinë.
Gjithashtu ai vlerësoi mbështetjen e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron.
“Falënderoj Merkelin dhe Macronin, sa i përket vendosmërisë për liberalizimin. Mendoj që do të kemi reflektim dhe sinjalet e para pas takimit të djeshëm. Do të ketë optimizëm në mënyrë që të respektohet kontrata me Bashkimin Evropian.
Kriteret i kemi kryer, tash e 2 vite, jemi në pritje të panevojshme. E kam theksuar qartë se është ndëshkim për qytetarët e Kosovës.
Dua të shpresoj se mesazhet që i kemi dërguar atje do të merren seriozisht për të na dhënë mbështetje edhe më konkrete e më të prekshme që në një të ardhmet afërt të ndodh liberalizimi, në të kundërtën, do të ishte zhgënjim për ne e qytetarët”, tha Thaçi.
Thaçi, në konferencën e tij pas kthimit nga Berlini, tha se sa i përket dialogut, pozicioni i Kosovës në të dy prezantimet ka qenë i qartë.
“Dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë i pakushtëzuar, taksa duhet të mbetet në fuqi. Ishte një mesazh i qartë i kancelares gjermane dhe presidentit francez për shpejtueshmërinë e zgjedhjes së një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizim.
Pozicioni i Kosovës është i qartë, Serbia duhet ta njohë Kosovën pa kushte, por duhet përgjegjësi më e madhe edhe nga Bashkimi Evropian, duke vlerësuar edhe rolin e SHBA-së”, tha presidenti Thaçi.
Sipas tij, në takimin e ardhshëm në korrik që do të mbahet në Paris, do të ketë dinamik të re.