Bashkia e Tiranës ka rikthyer sot nismën “Dita pa Makina”, e cila synon ndërgjegjësimin e qytetarëve që të shmangin të paktën për një ditë automjetet e tyre, si ndotëset kryesore të ajrit.
Për mbarëvajtjen e aktiviteteve të shumta që janë parashikuar gjatë ditës së sotme, por edhe për t’i dhënë mundësi qytetarëve që të festojnë qetësisht, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake, ka marrë të gjitha masat për kufizimin e qarkullimit të automjeteve në disa prej rrugëve të qytetit.
Sipas planit, kufizohet qarkullimi i automjeteve në segmentet e mëposhtme:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në datë 05.05.2019 nga ora 08:00 deri në orën 17:00.Kufizime do të ketë edhe në Sheshin “Nënë Tereza”, nga data 05.05.2019 ora 00:00 deri në datën 06.05.2019 ora 00:00.
Ndërkaq, qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet në rrugët “Ibrahim Rrugova”, “Lek Dukagjini” dhe “Papa Gjon Pali II”.
Ndërkaq, mjetet e transportit urban të qytetit do të devijohen si vijon:
– Linja e Unazës do të devijohet në urën e rrugës “Sami Frashëri” me urën e rrugës “Elbasanit”.
– Linja “’Tirana e Re”, “Kopshti Zoologjik” do të devijohen te sheshi “Wilson”, ura e Drejtorisë së Policisë.
– Linja “Kristali” do të devijohet te sheshi “Wilson” dhe ish Stacioni i Trenit.
– Linja “Kinostudio-Kombinat”, do të devijohet tek Sheshi “Medresesë”, si dhe përballë kishës Ortodokse.
– Linja “Kashar” do të devijohet te “Kafe Flora”, Kisha Ortodokse.
– Linja “Megatek” dhe “Instituti” do të devijohen te “Kafe Flora”.
– Linja “Qyteti Studenti”, “Jordan Misja”, “Sauk”, dhe “Sanatorium” do të devijohen te Fakulteti Ekonomik.
– Linja “Mihal Grameno” do të devijohet te ura pranë rrugës së “Elbasanit”.
– Linja “Materniteti i Ri” do të devijohet te ura pranë rrugës së “Elbasanit” dhe kishës Ortodokse.
– Linja “Sharra” do të devijohet tek ish Stacioni i Trenit, si dhe përballë kishës Ortodokse në rrugën e “Kavajës”.
– Nga ora 00:00 deri në orën 08:00 e datës 05 Maj dhe nga ora 17:00 deri në orën 00:00 linjat “Tirana e Re” dhe “Kopshti Zoologjik” do të kthehen te Blv. “Dëshmorët e Kombit” dhe do të stacionohen te hotel “Rogner”.
Më 5 Maj, përveç homazheve në të gjitha varrezat e dëshmorëve, Bashkia e Tiranës ka organizuar edhe një sërë aktivitetesh festive për të gjitha moshat.