MENU
klinika

'Dosjet e nxehta'

“Dosja 339”, “Unaza e Re”, “Adriatik Llalla”, “Rinasi” Arta Marku përgjigjet për të gjitha

09.05.2019 - 22:27

Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme, e cila garon për një mandat tashmë 7-vjeçar në krye të organit të akuzës, Arta Marku tregoi jo vetëm synimet e saj, por edhe punën e deritanishme në Prokurori gjatë një interviste mbrëmjen e sotme.

Gjatë punës së saj, zonja Marku është ndeshur me disa ‘dosje të nxehta’. Ndonëse kemi një datë të dekretuar nga Presidenti i Republikës për zgjedhjet lokale, më 30 qershor, opozita ka qëndruar jashtë tyre me pretendimin se nuk do të ketë zgjedhje, pa u hetuar më parë shitblerja e votave për zgjedhjet e 2017-s.

Njëra prej tyre është “dosja 339”, apo siç njihet zyrtarisht “339-1”, prej së cilës janë shfaqur në publik përgjime të eksponentëve kriminalë, grupi i Avdylajve, në komunikim me kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.

Por, përpara se të përgjigjej për këtë dosje, zonja Marku shpjegoi sesi funksionon sistemi i prokurorisë.

“Prokuroria nuk është më një organ i centralizuar, piramidal, në kuptimin që varet nga Prokurori i Përgjithshëm, por një sistem tërësisht i decentralizuar pas ndryshimeve të fundit kushtetuese të vitit 2016 dhe ligjeve që pasuan. Zot i çdo çështjeje penale janë vet prokurorët në krye tyre, duke u përgjigjur për hetimin, për zgjidhjen dhe japin llogari vetëm përpara gjykatës për vendimmarrjen e tyre. Prokurori i Përgjithshëm nuk ka asnjë të drejtë të kërkojë informacion të detajuar për asnjë nga çështjet, nuk mund të marrë përsipër vet hetime, madje në Prokurorinë e Përgjithshme nuk bëhen më hetime. Kjo Prokurori ka vetëm të drejtën për të përfaqësuar çështje në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese”, tha zonja Marku, duke nënkuptuar kështu mosdijeninë e saj mbi dosjen e bujshme.

Megjithatë, informacioni që merr Prokurori i Përgjithshëm, sipas saj është i karakterit statistikor ose procedurial.

Sipas Markut, këto dosje janë mbajtur vetëm në fazën e hetimit, me përgjime pa fund dhe asnjë nuk është zbardhur në letër.

Kryeprokurorja e përkohshme tha se transferimi i prokurorit të dosjes 339 ishte bërë rastësisht.

“Në momentin që prokurori që i kishte këto çështje u caktua përkohësisht në një Prokurori tjetër, tërësisht një rastësi, dorëzoi dosjet dhe prokurorët që i morën konstatuan se kishte një numër shumë të madh disqesh të patranskriptuara (pazbardhura)”, tha Marku, e cila saktësoi se vetëm për dosjen 339 kishte rreth 700 CD.

Këtë sasi tejet të madhe, Marku tha se e kuptojnë vetëm ata që merren me këtë punë, e ndoshta jo edhe masa e gjerë e popullit. Duke qenë se duhet një numër i madh njerëzish për të zbardhur bisedat, kryeprokurja e përkohshme tha se kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda i ka marrë të gjitha masat me caktimin e 4-5 oficerëve të Policisë Gjyqësore, ndërkohë që nga një prokuror janë bërë dy për secilën dosje.

Marku tha se ndonëse nuk dëshiron të mendojë se do të duhen “vite” për zbardhjen e tyre, deklaroi se sipas mendimit të saj personal nuk është lënë krejt rastësisht, por janë mbajtur qëllimisht kaq gjatë.

“Sigurisht nga prokurori që e ka pasur. I ndikuar po, pastaj politikisht apo në ndonjë mënyrë tjetër nuk preferoj ta them. Por di që është mbajtur për një kohë shumë të gjatë dhe disqet ende të patranskriptuara, që në fakt të vrasin sytë se janë 700 jo pak për t’u harruar”, tha Marku

Një tjetër dosje është ajo 184, me të njëjtin karakter, por për zgjedhjet e Dibrës në vitin 2016, një dosje e cilësuar si më e bunkerizuar.

“Një dosje me të njëjtën problematikë si e para, me shumë CD të pazbardhura dhe fatkeqësisht e pashoqëruar me ndonjë veprim tjetër hetimor”, tha zonja Marku.

Për këtë dosje, volumi i CD-ve nuk është edhe aq i lartë sa dosja tjetër, por gjithsesi ende nuk janë zbardhur. Dy prokurorë dhe disa oficerë të Policisë Gjyqësore po merren edhe me këtë dosje.

Të konsideruara nga opozita si “kutia e Pandorës”, Marku tha se janë dosje të rëndësishme dhe duhet të ketë material, pavarësisht se nuk ka dijeni pasi nuk ka të drejtë ta kërkojë informacionin.

Një dosje 3-vjeçare pa rezultat, prokurori i së cilës sërish u transferua për në një Prokurori tjetër. Pikërisht në këtë çast u konstatuan edhe vonesat e pashpjegueshme.

“Afatet i vendos ligji dhe në momentin që regjistrohet një person si nën hetim, maksimumi hetimet duhet të përfundojnë për 3 vite”, tha prokurorja e Përgjithshme e përkohshme.

Kryeprokurorja e përgjithshme Arta Markun, ka folur edhe për dosjen e Unazës së Re.

unaza e re-konica.al

“Për unazën, do thoja se është një dosje që kërkon kohën e vet, si dhe dosjet e tjera. Nuk duhem pyetur unë për këto dosje, pasi nuk merrem unë”, tha ajo.

E pyetur për faktin se si disa dosje trajtohen me dy standarde, ajo tha:

“Mendoj që arsyet për këtë duhet parë mënyra se si çdo prokuror bën punën e tij, nuk mendoj që ka lidhje me anshmërinë politike”.

Kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku deklaroi se hetimet ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla po vazhdojnë, por po priten letër-porositë nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania.

“Në dijeninë time po vazhdon. Nuk mund të them se po zvarritet. Kam dijeni më të madhe pasi letër-porositë kalojnë përmes zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme. Di që nuk ka përgjigje nga autoritetet amerikane dhe gjermane të drejtësisë. Nuk është refuzuar informacioni. Priten përgjigjet”, tha ajo.

Ndërsa për dosjen e grabitjes në Rinas, ajo tha se është thuajse e zbardhur.

“Ajo dosje është pothuajse e zbardhur. Është punuar shumë mirë si rrallëherë”, u shpreh.