MENU

Shpëtim Nazarko

Drejt Peqinit, me Berlinin nëpër mend!

02.05.2019 - 13:55

Nëse nisesh nga gjeopolitika e vjetër, ka besoj, një keqkuptim të madh te shqiptarët, në lidhje me rolin e Gjermanisë. Në tollovinë mendore të shumicës, ajo është aleati i dorës së parë, për Shqipërinë. Tollovia shkaktohet jo vetëm nga admirimi për racën gjeniale gjermane, por edhe nga qëndrimi që u mbajt në Luftën e dytë. Kjo ndaj Kosovës, por edhe legjendës se, gjermanët i quanin shqiptarët “racë ariane”.

Ajo që në përgjithësi harrohet, është se në luftrat botërore, në përgjithësi, fituesi i kërkon të tëra dhe fshin kështu, të gjithë vijën e demarkacionit, që i mban fshehur duart e palëve në kohëra të qeta. Në këto të fundit, vendos gjeopolitika e vjetër, që nuk ndalet asnjëherë, nga drejtimi i përcaktuar prej themeluesve të saj.

Në gjeopolitikën e vjetër, nuk është Gjermania, por Austria, miku real i shqiptarëve.

Ky shtet, referuar filozofëve, u krijua vetëm për një qëllim: pengimin e interesave ruse për dominimin nëpërmjet tokës, të Bosforit, apo ndryshe Kryeurës, që lidh Lindjen me Perëndimin.

Në gjeopolitikën e vjetër, Gjermania nuk e luante dot rolin e Austrisë dhe nuk mund ta luajë as sot e as nesër. Kolosi i Evropës, nuk mund të jetojë dot pa lëndët e para të Rusisë, që janë dhe themeli i ekzistencës dhe prosperitetit të tij. Do të mjaftonte vetëm qëndrimi i fundit gjerman, në lidhje me gazsjellësin më të ri, që vjen nga Rusia, për të vënë në pah çfarë u tha më lart.

Udhëtoj rrugës për Elbasan dhe jam diku afër Peqinit. Ka qënë dikur rruga më e rëndësishme e botës së civilizuar. Lidhte dy Perandoritë dhe fillonte nga Roma për Konstandinopojë. Qendër kjo, e perandorisë tjetër, themeluar nga një prej stërgjyshërve tanë të lavdishëm, Konstandinit të Madh.

Udhëtoj Peqinit dhe dëgjoj lajmet e fundit, për Samitin e Berlinit. Gjithnjë shkoj me mendje, se, aty ku është rrethrrotullimi i Rrogozhinës do të ndërtohet dikur, statuja e Konstandinit të Madh. Pikëtakimi i dy rrugëve që përbënin Egnatian dhe vinin nga Vlora dhe Durrësi është pak më larg, po kam qejf ta shoh aty pikëtakimin e tyre dhe statujën.

Në fakt, rruga për Peqin, nuk është tip autostrade dhe kam idenë se, asnjeri nuk e ka mendjen për ta bërë atë, të shkojë si dikur drejt Stambollit, apo të lidhet pastaj me Lindjen a me Rrugën e Mëndafshit, që duan ta ribëjnë kinezët.

Nuk duan ta bëjnë rrugën e vjetër, megjithëse po të ndërtosh portin e Vlorës, që Straboni e quante portin më të madh të antikitetit, atë do ta bënin pa lekë të tjerët… Del hesapi, pasi në këtë rrugë do të kishe vërshimin e pafundmë të mjeteve që do të vinin, jo vetëm nga Ballkani, po nga gjithë kontinentet… Do të merrnin dhe binin, kontenierë pa fund. Dhe duke shkuar në Maqedoni, apo “Dispecerinë e Ballkanit” (ku prapë, jemi pothuajse zot), do të shpërndaheshin drejt Stambollit, Evropës, apo po të doni dhe drejt Rusisë, nëpërmjet Ukrahinës…

Rruga drejt Stambollit, do të ishte dhe një farë “llozi”, që hapej e mbyllej në kohë lufte a paqeje dhe do t’i siguronte Shqipërisë dhe Maqedonisë, rolin e qartë në rajon e më gjerë…

 

 

Po rruga, nuk është bërë dhe nuk do të bëhet asnjëherë… Nano, dikur, e filloi me Sarandopullisin, lojën, nga jugu për të shkuar nuk e di se ku. Berisha e filloi nga lart, nga Veriu dhe shkoi në Kosovë, me ëndrrën për më tej, por po ta lejojnë serbët, këtë lloj hyrje të Shqipërisë në Europë.

Udhëtoj dhe dëgjoj se, Rama, sapo dha lajmin për Korridorin Adriatiko-Jonian, që nuk ka prapë, asnjë lidhje me gjeopolitikën e Shqipërisë… Nuk e di a do të realizohet me paratë tona, gjurma që kalon nëpër Shqipëri, e këtij korridori. Duket se Shqipëria, do të mbetet përgjithnjë pa “rrip pantallonash” apo ndryshe, Korridorrin e tetë.

Referuar gjeopolitikës së vjetër, Gjermania nuk ka interes për të, po veç për Korridorin Adriatiko-Jonian. Quhet korridor turistik, por në thelb u siguron dhe u maskon gjermanëve, rrugën që kalon tek aleatët e tyre natyralë, sllovenë apo kroatë, atë që kërkojmë ne, prej funksionit të Korridorrit tw 8-të.

Na duhet Korridori i 8-të edhe nëse heqim dorë prej teorive konspirative. Vendi që eksportet e tij, i ka materiale të rënda, nuk mund t’i lëvizë ato, pa porte dhe pa hekurudha. Që siç thashë, mund t’i bëjë pa lekë, nëse hyn në skenë porti i Vlorës. Na duhet dhe për një arsye tjetër. Kosova, që ka qenë provincë e Shqipërisë, për shkak të pozicionit gjeografik, nuk ka nevojë për ne, për të hyrë me rrugët tona në  Europë. Po do të ishte ndryshe, nëse bëhej Korridori i 8-të. Do të lidhej me të dhe Maqedoninë, diku, dhe do të hynte në Europë.

Dhe në këtë lidhje, shqiptarët e tri shteteve, bashkë me Maqedoninë e vogël, do të ishin zotërit realë të rajonit dhe do të rronin gjeopolitikën e tyre.

Udhëtoj drejt Peqinit dhe mendjen e mbaj në Berlin. Nga ëndërrimet më zgjon sherri Rama-Haradinaj-Thaçi. Është puna për ca territore, që duhen shkëmbyer me Serbinë. Gjermani nuk na lë. Jo vetëm për stabilitetin dhe tregun që kërkon, por edhe për qetësinë e aleatëve sllovenë dhe kroatë.

Franca, po ashtu. Në gjeopolitikën e vjetër, ca më keq se Gjermania, ajo ka qenë në krah të Rusisë.

Dëgjoj sherrin dhe nuk bërtas dot, sepse as për këtë nuk kam fuqi. Duket se asnjë nga të mëdhenjtë këtej dhe andej kufirit, nuk e kuptojnë se, lidhja jonë reale, mes shqiptarëve, është Korridori i 8-të. Normalizmi i marrëdhënieve me Serbinë, vetëm i jep dorë Serbisë, që është ekonomi më e fuqishme, të izolojë apo gllabërojë ekonomikikisht, jo veç Kosovën, por edhe vetë Shqipërinë.

Rrugës për Peqin, dëgjoj përfundimet e samitit dhe zhurmën e komentuesve. Në fakt, të gjithë e kanë mendjen te sherri dhe pyetja “a do na i hapin negociatat?”. Fundja, kjo është tema kryesore… Besoj se edhe nëse nuk i hapin tani, do t’i hapin në shtator. Është punë stabiliteti. Mjaft të mos ngatërrohemi në territore dhe shkëmbim të tyre… Nuk i leverdis Gjermanisë, por ndoshta edhe vetë Rusisë. Që nuk zgjat dot më pastaj, dorën në këtë pjesë të Ballkanit, apo ndryshe, nuk ka zjarr të mjaftueshëm për të vazhduar gjeopolitikën e vjetër, që e ndihmon të realizojë ëndrrën e nisur nga Ekaterina e Madhe, për të arritur Konstandinopojën, apo Cargradin (Qytetin e Carit), siç e quajnë ata me përkëdheli.

Gjermanisë i intereson ky treg, por më shumë sipas ‘real politikës’, sigurimi i qetësisë së aleatëve natyrorë, që përmënda më sipër…

Udhëtoj drejt Peqinit dhe në zallamahinë e zhurmës që shkakton sherri i udhëheqësve tanë, këndej e andej kufirit, papritur dëgjoj një zë shpresëdhënës…  Çuditërisht është ai i Zaevit, që thotë, apo mërmërit nëpër dhëmbë:

“Zotërinj, po nuk më dhatë negociatat, do të jap dorëheqjen… Domethënë, Rusinë do ta keni prapë aty, nëpër këmbë”.

Zaevi, ndoshta e di se në gjeopolitikën e vjetër, Babai i Gjermanisë moderne, Bismarku, do të rrotullohej në varr nga kjo frazë. Atij i referohej thënia:

 

 

Kush zotëron Maqedoninë, zotëron Ballkanin e rrjedhimisht, Evropën!

Mbetet të mendoj, duke nënvlerësuar Zaevin, se i kanë fryrë në vesh amerikanët… Ndoshta… Si të vetmit aleatë natyrorë tanët, që kanë zënë vendin e Austrisë dikur, kanë ide të ndryshme nga gjermanët a francezët. Dhe ndoshta, për këtë arsye, që në fillim të 90-ës, pas Luftës së ftohtë, gjënë e parë që bënë ishte vendosja në Maqedoni…

Nuk më hynë shumë në punë, këto gjëra. Udhëtoj drejt Peqinit, me Berlinin në mend e them:

Pa rrugën e Peqinit, që të shpie drejt Stambollit dhe pa portin e Vlorës, do të mbetemi si zogu në kuvli, gjysmë të ngordhur. Nuk do të kemi as porte, as hekurudha dhe asgjë për të eksportuar, apo ndryshe, për të prosperuar.

Po a na lënë?

“Ç’na duhet ne, – më tha një ditë, një ministër i Ramës,.. – na lënë a nuk na lënë, ne bëjmë detyrën ndaj vendit…”

Udhëtoj drejt Peqinin, me Berlinin nëpër mend. Tutje, më vjen në vesh sherri i zotërinjve udhëheqës dhe një Shqipëri, që rënkon e zvarriset pa “rripin e pantallonave”…

Na shpëtoftë Perëndia!