MENU
klinika

Zhan-Zhak Rusoi

Durimi është i hidhur, por fryti i tij është i ëmbël

04.05.2019 - 13:22

Zhan-Zhak Rusoi (1712-1778) i quajtur ndryshe edhe “Filozofi i Gjenevës” ishte shkrimtar, dijetar dhe kompozitor i suksesshëm.

Një nga filozofët më të famshëm të shekullit të Iluminizmit, edhe pse vepra e tij filozofike dhe temperamenti i tij e vunë shpesh në kundërshti me racionalizmin e Iluministëve. Lindur në Gjenevë në një familje kalvinste, e ëma vdiq në lindje, i ati e braktisi që në moshën 10-vjeç, ai u rritur nga xhaxhai.

Filozofia e tij politike ndikoi në revolucionin francez, sikurse në zhvillimin e mendimit politik, sociologjik dhe arsimor bashkëkohor. Shkrimet e tij influencuan shpirtin revolucionar francez, heroi i mendjes për revolucionarët francezë. “Ideja e papritur” për t’iu përgjigjur pyetjes: “A ka ndihmuar rivendosja e shkencave dhe arteve në pastrimin e zakoneve?”. Me tekstin “Diskutim mbi shkencat dhe artet”, Rusoi do të fitonte çmim dhe fitonte famën e menjëhershme. Ndër shkrimet e shumta përmendim “Kontrata shoqërore”, “Heloiza e re”, “Një bisedë me pabarazinë” etj.

“Zhvillimi i përgjithshëm nuk e kishte bërë aspak më të mirë njeriun, – shpjegon Rusoi, – por ndodhi e kundërta: luksi dhe kënaqësia blihen me çmimin e skllavërisë; shthurja ngrihet mbi moralin e thjeshtë të popullit dhe njerëzit e kulturuar vënë në lojë ata për të cilët ka mbetur ende diçka e shenjtë. Me fjalë të tjera, marrëdhëniet shoqërore nuk janë aspak të natyrshme, sepse nuk përputhen me të drejtën dhe moralin e natyrshëm; qytetërimi, në tërësinë e tij, ecën në rrugë të gabuar.

Gjendja e moralit natyror humbi gjatë procesit historik të qytetërimit, e vetmja gjë e mirë që lindi nga ky proces është arsyeja, me ndihmën e së cilës synojmë të kthehemi në gjendjen para humbjes së të natyrshmes. Në qoftë se kjo natyrë e çoroditur, si ajo e njeriut aq dhe e asaj që e rrethon, mund të çohet nga arsyeja tek ajo që ishte, atëherë arsyeja do të bëhet e natyrshme.

Kështu do të ruanim veten nga dysia e natyrës dhe e arsyes (ose e shpirtit), që shënon qytetërimin modern dhe teoritë konstruktore të iluministëve.

Kjo është një nga idetë themelore të fundit të kësaj periudhe dhe mban tërësisht vulën e Rusoit. Ai hartoi “Diskutimi mbi zanafillën dhe themelet e pabarazisë midis njerëzve”, në të cilën e radikalizoi mendimin e tij. Kuptohet vetvetiu se të gjithë njerëzit nuk janë të barabartë, por pabarazia më e keqe midis tyre mbështetet mbi pronësinë që ndan shoqërinë në lartë dhe poshtë, të pasur dhe të varfër dhe kjo pronësi është gjithçka, me përjashtim të një të drejte natyrore… Është dukshëm kundër Ligjit të Natyrës, në çdo mënyrë që ta përkufizojmë…

Nëpërmjet “paktit shoqëror” që ata lidhin kur janë të lirë në gjendje natyrore, njerëzit ia lënë të gjitha të drejtat e tyre bashkësisë si “sovran” absolut. Të shtyrë nga arsyetime tërësisht kushtuar “sedrës” së tyre, ata heqin dorë nga liria e tyre individuale duke e mbartur atë tek “trupat politikë”. Duke filluar nga ky çast, mbretëron “vullneti i përgjithshëm” i mëshiruar nga qeveria e zgjedhur.

Megjithatë, qytetarët mbeten të lirë përderisa janë pjesë përbërëse të këtij vullneti të përgjithshëm. Nëpërmjet paktit shoqëror në të cilin hyjnë, ata heqin dorë solemnisht për ta lënë sedrën e tyre të shndërrohet në “egoizëm” dhe i japin bashkësisë të drejtën të marrë masa kundër qytetarëve egoistë. Ata marrin për pronën e tyre – objekt përkujdesjesh i sedrës së tyre – siguritë e shtetit; shteti duhet megjithatë të kujdeset të ndalojë ndryshimet shumë të mëdha në ndarjen e pronësisë, që do të bënin të shpërthente lidhja e fortë e bashkësisë.

Njeriu është i mirë në gjendjen e natyrës, mëson Zhan-Zhak Rusoi. Çdo përmirësim i individit kalon nëpërmjet lirisë nga natyra e tij, i çliruar nga tërësia e koncepteve të gabuara të lindura nga shoqëria. Çdo përmirësim i shtetit kërkon të rikrijohen kushtet e një bashkësie njerëzore në natyrë, në të cilën egoizmi i lindur nga qytetërimi të mos ketë asnjë rol.

Rusoi u varros si një hero kombëtar në Panetonin e Parisit, në vitin 1794, 16 vjet pas vdekjes.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN