Me rastin e kremtimit të Ditës së flamurit u poqa me shokun e vjetër, Peshkop Fan Nolin të cilin nuk e kisha parë disa vjetë. Fan Noli ( një njeri që ka lojtar një rollaqë të math në lëvizjen t’onë dhe është aq’i njohur munt t’i përmendet emëri pa nonjë titull si një fytyrë historike, pa hyrë në nonjë pakësim nderimi në këtë mungesë titulli), Fan Noli, thom, s’ka ndruar shumë.
Heronjt’ e Homerit çkëmbejnë fjalët t’ashpëra, pastaj bashkoheshin, si më parë. Sado që s’jemi si ata heronj, m’u kujtuan kur u poqa me një fytyrë me të cilën kam lëftuar aqë shumë kohë si shok, edhe pak kohë si kunërshtar. Me Fan Nolin merrem kurdoherë vesh më lehtë, se flasim një gjuhë:kuptohemi kur thomi se njeriu që shkruajti muzikën e Don Giovani-t bëri një punë më të madhe se njeriu që çpiku telefonin, ose kur thomi se Parthenon-i edhe Tarxh Mahal-i janë monumente më të lartë se kulla e Eiffel-it, e cila është njëmij këmbë e lartë.
Fan Noli ësht edhe i ri: prova më e mirë është se ësht’ i zoti të qeshë. Në bëfshi mundimin të këndoni një letrë t’ime të botuar në numër të Janarit të së përkohëshmes Judge në New York, do të shihni se ç’kuptim të thellë i jep zotësisë për qeshje.
“Fan Noli jo vetem ësht’ i ditur në muzikë, po ka zotësin’ e rrallë të një stërvitë të tjerë n’atë mjeshtëri të bukur, dhe t’i stërvitë në pak kohë. Ç’humbje për Shqipërinë që një njeriu t’atillë nuk jipet rasti t’organizojë stërvitjen muzikale të popullit në shkolla të vendit! Ç’humbje që nuk jipet rasti t’organizojë nje Universitet popullor në Shqipëri, ku njerëz të pjekur të venë nj’a dy orë ditën të stërviten!
Fan Noli është hequr nga politika edhe më tepër se sa jam hequr unë. Kuptohet se një njeri i mendjes ka nevojë për siguri dhe për dinjitet: po t’i jepeshin këto, do t’ish një fitim për Shqipërinë.
“…At Noli do të mbetet në histori të Shqipërisë si burri që arriu i pari, me hirë të vullnetit dhe të hollësisë së tij, të kllasi zyrtarisht gjuhën shqip në meshë. Dita që mëshoj për të parën herë është një ogur i bardh n’udhë të përparimit t’onë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët të harrojnë.”
Lesh-zi, me sy të mprehtë, një fizionomi të qeshur, gati të presë një shaka dhe t’a kthejë me uzurë, mendje-hapur, njohës i gjuhëve romane dhe skandinave, At Noli, nga kultura, nga mendësia dhe nga karakteri i tij më kujton shpesh kishëtarët e Përlindjes italiane./Konica.al