MENU
klinika

Space X

Elon Musk çon në hapësirë 60 satelitët e parë për internet të shpejtë

24.05.2019 - 19:51

Kompania “Space X” e Elon Musk ka nisur drejt hapësirës sistemin e tij “broadband” të hapësirës.

Një raketë “Falcon-9” është lëshuar nga Cape Canaveral i Floridës, pasditen e së enjtes, në të cilën ndodheshin 60 satelitë, të afta t’u sigurojnë përdoruesve në botë lidhje të shpejtësisë së lartë në internet.

Firma e sipërmarrësit miliarder, Elon Musk, synon të hedhë në hapësirë afro 12.000 anije kozmike për rrjetin e tij “Starlink”. “Space X” është një prej grupeve tregtare që kanë leje për të hedhur në hapësirë një “megakonstelacion” interneti.

Mes të tjerave është edhe “start up”-i “OneWeb” me seli në Britaninë e Madhe, që nisi fluturimet në hapësirë në muajin shkurt, me 6 anije kozmike operacionale. Rrjeti gjigant i shitjeve me pakicë “online”, “Amazon” ka gjithashtu ambicie në këtë fushë. “Amazon” e Jeff Besos po punon për një projekt prej 3.200 satelitësh, i njohur si “Projekti Kuiper”.

Të gjitha idetë parashikojnë dërgimin e anijeve kozmike në orbitën e ulët të Tokës, në më pak se 2.000 km mbi planetin, gjë që do të ulë vonesat dhe reagimin në kohë të lidhjeve në internet.

Raketa “Falcon” u nis për fluturim nga kompleksi 40 i lëshimeve hapësinore “SLC-40” në bazën e Forcave Ajrore në Cape Canaveral, në orën 22:30 me atë lokale, apo 4.30 të mëngjesit të së premtes.