Të gjithë personat fizik e juridik që kryejnë transaksione duhet të kenë llogari bankare.
Në rast se brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e ligjit subjektet nuk kanë hapur llogaritë gjobiten deri në 100 mijë lekë. Ky është ndryshimi kryesor i propozuar nga Ministria e Financave në ligjin për procedurat tatimore, i cili është dorëzuar në Kuvend.
Ndryshimet ligjore në thelb synojnë të reduktojnë ekonominë informale dhe përdorimin e parasë fizike nga personat fizikë/juridikë tregtarë. Ndryshimet adresojnë njëkohësisht edhe rekomandimet e Komitetit Moneyval, dhe propozojnë të sanksionohet në ligjin për procedurat tatimore, detyrimi i të gjithë tatimpaguesve persona fizikë/juridikë, përfshirë edhe organizatat jofitimprurëse për të pasur llogari bankare biznesi.
Parashikohet që mos të jenë subjekte të këtij detyrimi tatimpaguesit, persona fizikë tregtarë të cilët realizojnë qarkullim vjetor, rrjedhimisht edhe qarkullim të parasë fizike, në vlera të ulëta.
Për këtë arsye, është marrë për referencë, kufiri i regjistrimit për përgjegjësinë tatimore: tatimi mbi vlerën e shtuar, pra ata që kanë një qarkullim vjetor mbi 2 milion lekë.
“Sjellim në vëmendjen tuaj se, sipas ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, neni 117, dhe në vendimin nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, neni 11, nuk janë subjekt i detyrimit për t’u regjistruar për TVSH-në, tatimpaguesit të cilët realizojnë një qarkullim vjetor (përveç atyre që ushtrojnë veprimtari sipas profesioneve të përcaktuara në pikën 2, të nenit 11), më të vogël se 2 milionë lekë” thuhet në relacionin e projektligjit.
Parashikohet vendosja e një afati të përcaktuar për përmbushjen e këtij detyrimi, si dhe dënimi në rast të mospërmbushjes së tij nga ana e tatimpaguesit
Neni 1 i projektligjit parashikon që në nenin 59, pas pikës 1/1, të shtohet pika 1/2, e cila parashikon detyrimin e tatimpaguesve persona fizikë/tregtarë, të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), për të disponuar llogari bankare të biznesit. Ndërkohë që për personat juridikë, ky detyrim shtrihet për të gjithë tatimpaguesit, përfshirë organizatat jofitimprurëse, pavarësisht qarkullimit që realizojnë.
Neni 2 parashikon që në nenin 120 shtohen disa paragrafë, të cilët përcaktojnë dënimet administrative në rast të mospërmbushjes së detyrimit të parashikuar në nenin 1, të projektligjit, konkretisht:
a) Tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar, me qarkullim deri në 8 000 000 (tetë milionë) lekë, gjobë, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
b) Tatimpaguesit persona juridikë, pavarësisht nga qarkullimi, si dhe tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, me qarkullim mbi 8 000 000 (tetë milionë) lekë, gjobë, në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë;
c) Organizatat jofitimprurëse, gjobë në masën 75 000 (shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë.
Nëse subjekti nuk ka llogari bankare për transaksionet që kryen edhe pas dënimit si më sipër, dënohet me dyfishin e gjobës së parë.
Subjektet e regjistruara rishtas duhet të hapin llogarinë bankare jo më vonë se 20 ditë kalendarike pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit/administratën tatimore dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore.
Subjektet që janë të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit /administratën tatimore duhet të hapin llogarinë bankare jo më vonë se 90 (nëntëdhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore.