MENU
klinika

E para ekspozitë

Leka: Shkodra, dashuri-kryeqytet i artit

14.05.2019 - 13:01

Shkodra mirëpret piktorin Gazmend Leka, me ekspozitën e parë vetjake, çelur pranë Galerisë së Arteve të këtij qyteti domethënës për artin. Janë plot 43 vepra në pikturë, që u përkasin cikleve krijuese, si: “Black box”, “Molla”, “Lutja”, “Natura Morta” dhe “Totemi”. Në veprat e ekspozuara në pesë salla, publiku artdashës i Shkodrës, gjatë një muaji do të njihet me të gjitha etapat artistike të jetës së tij. Ndërsa. piktori e cilëson këtë ekspozitë, të parën në një qytet si Shkodra, si një ndër më të rëndësishmet në jetën e tij, për shkak të përmasave që e karakterizojnë atë.

 

 

 

Është e para herë, që vij në Shkodër, me një ekspozitë personale. Kur më ftuan për të bërë një ekspozitë në Shkodër, e prita me shumë gëzim. Kam qenë dy herë për të parë sallën edhe m’u duk shumë e madhe. Fillimisht e pata të vështirë, nëse do të arrija të rendisja punët, të krijoja një frazë me këto vepra që më kanë mbetur”, – është shprehur ndër të tjera, piktori Gazmend Leka, gjatë intervistave televizive.

Sipas tij, Shkodra nuk është vetëm një qytet me vlera për artin, por kryeqytet i artit shqiptar, siç ka qenë ndër shekuj.

 

 

“Shkodrën gjatë fëmijërisë sime, nuk është se e kam vizituar fare, por në moshë madhore. Megjithatë, kokë kam krijuar një ide për Shkodrën time, që e kisha krijuar që në fëmijëri. Shkodrën shpirtërore, tek unë e kanë ndërtuar disa mjeshtra, si: Mjeda, Pashko Vaso, poezitë e Migjenit, Gjergj Fishta më vonë. Kur kam qenë liceist, shkoja që të shikoja Zef Kolombin, Kol Idromenon, Simon Rrotën. Kisha një kënaqësi shumë më të veçantë, kujtoja diçka që nuk e kisha në Tiranë. Pak gjëra që kisha parë nga Marubët, më tronditën. Ende më tingëllon në vesh muzika e Çesk Zadesë, Tonin Harapit edhe shumë artistëve të skenës, siç ka qenë Loro Kovaçi, Marie Logoreci, Tinka Kurti etj”, – tregon më tej, piktori.

Leka, ka treguar edhe sesi ndikon gjendja aktuale në vend, në krijimtarinë e tij artistike.

 

 

 

Asnjëherë nuk ngatërrohem që gjithë realitetin që shoh, ta sjell një më një, në veprën time, por gjithë energjinë që shoh jashtë, e kthej në një vepër arti. Kjo të mërzit, nga lumenjtë që po gërryejnë shtratin, prerja e pyjeve, sharjet në rrugë apo në parlament, por si artist, të gjithë këtë energji negative, mundohem që ta kthej në veprën time, si një energji, që në fund të fundit, është energjia e Shqipërisë sot.
Në veprën time gjen më shumë tema, që kanë në qendër njeriun, figura dhe simbole. Unë mundohem që të ruaj personalitetin tim, që nuk e tradhtoj asnjëherë. Kështu që mendoj se, Shqipëria edhe me këto probleme dhe halle, mua nuk më gjunjëzon”.

Ekspozita në Shkodër, shumë e vlerësuar për vendndodhjen nga ana e piktorit, po ashtu mëse e mirëpritur prej vetë  shkodranëve, do të jetë e hapur për publikun,  deri më 10 qershor.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN