MENU
klinika

Flet sulmuesi kuqezi

Grezda: Ja ndryshimi mes Panuccit dhe Rejas

24.05.2019 - 21:50

Eros Grezda është një nga të paktët titullarë të Kombëtares kuqezi, që është vënë në dispozicion të trajnerit Edi Reja, në këto ditë të para të grumbullimit para ndeshjeve eliminatore.

Sulmuesi gjakovar, i cili luan me Rangers, në një intervistë për mediat ka folur me superlativa për trajnerin e ri të Kombëtares.

Edhe pse janë ditët e para të stërvitjes, Grezda shprehet se eksperienca e Reja-s e ndihmon atë të krijojë raporte të mira me lojtarët.

“Janë shumë pak ditë për ta njohur njëri-tjetrin, por me ato që kemi parë në fillim, është gjithçka shumë pozitive. Ka një entuziazëm në grup, ndonëse nuk jemi të gjithë gati. Kemi kaluar shumë mirë.

Është ende herët, por ndryshimi shihet, pasi janë dy persona totalisht të ndryshëm. Edhe eksperienca bën të vetën, pasi Panucci ishte në fillimet e tij, ndërsa Reja ka shumë vite përvojë dhe di të ndërtojë raporte mjaft të mira me lojtarët.

Me Islandën është një ndeshje shumë e rëndësishme, pasi është një rival direkt për kualifikimi, ndaj do të jetë shumë e rëndësishme që të mos humbasim, ndërsa ndaj Moldavisë duhet të marrim maksimumin.”, u shpreh Grezda.