MENU
klinika

Almanak

Histori/ Çfarë ka ndodhur më 26 maj?

26.05.2019 - 08:07

47 pes – Julius Caesar viziton Tarsin në rrugën e tij për në Pontus, ku takohet me përkrahës entuziastë, por ku, sipas Ciceronit, në këtë kohë Cassius kishte filluar të bënte planet për ta vrarë.

17 – Germanicus kthehet në Romë si hero; ai sapo kishte korrur fitore mbi fiset Cherusci, Chatti dhe fise të tjera gjermane në perëndim të Elbës.

451 – Zhvillohet Beteja e Avarayr mes rebelëve armenë dhe forcave të perandorisë Sasanide. Perandoria i mposhti armenët ushtarakisht, por u garantoi atyre lirinë për të praktikuar hapur krishtërimin.

946 – Mbreti Edmund i Anglisë vritet ndërsa sulmohet nga një vjedhës gjatë meshës me rastin e Ditës së Shën Agustinit.

1293 – Një tërmet godet Kamakuran dhe Kanagawan në Japoni, duke vrarë rreth 30,000 banorë.

1637 – Masakër në Luftën Pequot: Një forcë protestante nën kapitenin anglez John Mason sulmon fshatin Mystik të fisit Pequot, Konektikat, duke masakruar rreth 500 indianë autoktonë. Kështu filloi lufta Pequot që e shfarosi këtë fis indian.

1770 – Në More, Peloponez, fillon Revolta Orlov kundër Perandorisë Osmane. përpara Luftës greke të Pavarësisë. Rebelimi dështoi plotësisht. Grekët ishin të papërgatitur, ndërsa idea për revoltë erdhi nga jashtë – ajo u organizua me nismën e kontëve Grigory, Fyodor dhe Aleksey Orlov, 3 vëllezër rusë. Disa historianë mendojnë se qëllimi i rebelimit ishte jo rilindja kombëtare greke apo pavarësia, por zgjerimi i sferës së ndikimit rus në Ballkan duke iu drejtuar të krishterëve ortodoksë në përgjithësi, dhe jo grekëve në veçanti.

1907 – Në Winterset, Iowa, lindi Marion Morrison – i njohur më pas si John Wayne – kryeimazhi i heroit amerikan. Karrira e tij 50 vjeçare në kinematografi filloi më 1930 në filmat ‘western’ dhe pastaj në filma me luftë. I nderuar me çmimin Oskar për rolin e marshallit në filmin “True Grits” (1969), John Wayne ose “Duka”, siç e thërrisnin, pas çdo filmi ishte vazhdimisht objekt i kritikëve të filmit, por audienca e donte – shtatlartë, me një të folur të shtruar, ai ishte aktor i madh por edhe patriot i madh, superhero (filmi Green Berets, 1968), gjithmonë në role pozitive, fitues dhe asnjëherë i vrarë. Wayne vdiq më 11 qershor 1979 nga kancerit në stomak – e vetmja betejë që nuk mundi të fitojë. Në një rast kur e pyetën se cila ishte këshilla e tij për një person që dëshironte të bëhej aktor, John Wayne u përgjigj: “Bisedo ulët, flit ngadalë dhe mos flit shumë” – këshillë e mirë, jo vetëm për aktorët.

1969 – Anija amerikane Apollo 10 kthehet në Tokë pas një prove të suksesshme 8 – ditore në përgatitje për uljen në Hënë në misionin e ardhshëm.

1971 – Kongresi amerikan miraton Aktin e Festës Kombëtare duke shpallur të hënën e fundit të muajit maj si Ditën Përkujtimore. Kjo ditë ishte shpallur më 5 Maj 1868 nga gjenerali John Logan, si Dita e Dekorimit (Zbukurimit), që lindi nga Lufta Civile dhe nga dëshira për të nderuar amerikanët e rënë – Në urdhërin e ditës së gjeneralit thuhej se 30 maji 1868, caktohet për vendosjen, mbjelljen e luleve dhe përkujdesjen për varet e njerëzve që ranë gjatë Luftës Civile – Gjithashtu u caktua muaji maj ndoshta sepse është edhe muaji i luleve. Në ditën e parë të Dekorimit, gjenerali James Garfield mbajti një fjalim në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, dhe 5,000 të pranishëm vendosën lule në varret e ushtarëve të Unionit dhe ushtarëve të Konfederatës. Shteti i parë që e njohu zyrtarisht këtë festë ishte New York, në vitin 1873. Shtetet e Jugut refuzuan ta vëzhgonin këtë ditë, deri pas Luftës së Parë Botërore. Dhe vetëm në vitet 1960, Dita e Dekorimit filloi të quhej Dita Përkujtimore për të gjithë amerikanët e vrarë në luftra (përfshi dhjetra shqiptaro amerikanë që nga Lufta e Parë Botërore). Në vitin 1946, shqiptaro amerikanët e sapo kthyer nga Lufta e Dytë, themeluan në Boston, Masaçusets Shoqatën e Veteranëve. Shoqata u krijua me nismën Dr Andrew Elia i cili kishte shërbyer si mjek ushtarak në forcat e marines amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore.

1978 – Kazinoja e parë e ligjshme në SHBA hapet në Atlantic City, jashtë Nevadës.

1981 – Kryeministri i Italisë Arnaldo Forlani dhe kabineti i tij i koalicionit japin dorëheqjen pas një skandali mbi anëtarësimin në grupin pseudo – masonik P2 (Propaganda Due).

1986 -Komuniteti Evropian miraton flamurin evropian, simbol i Bashkimit, por edhe i identitetit evropian në kuptim më të gjërë. Flamuri Evropian përbëhet nga 12 yje të arta në një rreth me sfond blu. Yjet simbolizojnë idealet e bashkimit, solidaritetit dhe harmonisë mes popujve të Evropës. Numri i yjeve nuk lidhet me numrin e shteteve anëtare të BE-së, edhe pse rrethi është simbol uniteti.

1998 – Australia shënon për herë të parë Ditën Kombëtare të Keqardhjes dhe Pajtimit. Kjo ditë ka të bëjë me respektimin e trashëgimisë të fiseve autoktone dhe vlerësimin e drejtësisë dhe barazisë për të gjithë australianët pavarësisht prejardhjes, ngjyrës, racës.

2004 –Veterani i ushtrisë amerikane Terry Nichols u gjet fajtor për 161 vrasje pasi kishte ndihmuar për të kryer shpërthimin në qytetin Oklahoma më 19 prill 1995. Nikols është duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm në Kolorado, ndërsa autori i shpërthimit, Timothy Mcweig u ekzekutua në karrrige elektrike në vitin 2001.

2011 – Ratko Mlladiç, ish- gjeneral serb boshnjak përgjegjës për masakrën e mbi 8,000 muslimanëve në Srebrenicë në vitin 1995, u gjet dhe u arrestua në Lazarevo, fshat në veri të Beogradit. Ai u dërgua në gjykatën në Hagë për krime lufte. Në prill 2014, gjykatësi refuzoi të hedhë poshtë dy nga paditë për genocidi, duke thënë se ka prova të mjaftueshme për të gjitha akuzat.