MENU
klinika

Almanak

Histori/ Çfarë ka ndodhur më 27 Maj?

27.05.2019 - 09:17

927 – Vdiq Simeon i Madh, udhëheqësi i parë bullgar i shpallur i perandor. Fushatat e tij të suksesshme kundër Bizantit, hungarezëve dhe serbëve çuan në zgjerimin e perandorisë bullgare duke e bërë atë shtetin më të fuqishëm në Evropën Lindore të asaj kohe. Në vitin 904 Simeoni pushtoi Vlorën, Himarën, Butrintin; bullgarët u shtrinë më në veri, pushtuan rreth 30 kështjella, por Durrësin dhe Shkodrën nuk i morën dot. Qëndra kryesore nën sundimin bullgar (851 – 1018) u bënë Devolli, Nikopoja (Berati) dhe Glavinica (në Ballshin e Mallakastrës).

1703 – Cari Pjetri i Madh themelon qytetin e Shën Petersburg. Më 1924 qytetit do t’i jepej emri Leningrad, dhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik do të quhej përsëri Shën Petersburg – i përshkruar shpesh si kryeqyteti rus i kultures – qyteti më verior në botë që ka një popullsi mbi pesë milionë banorë.

1860 – Giuseppe Garibaldi fillon sulmin e tij në Palermo, Sicili, si pjesë e fushatës për bashkimin e Italisë. Burime të ndryshme flasin se arbëreshët ishin nga të parët që mbështetën e luftuan përkah Garibaldit. Në Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshëve), afër Palermos, banorët krijuan një komitet revolucionar dhe organizuan një forcë prej rreth 600 vullnetarësh, të cilët shkuan në Palermo dhe u bashkuan me Gribaldin në luftë kundër tiranisë burbone.

1930 – Hapet per publikun ndërtesa Chrysler në New York, struktura më e lartë e bërë nga dora e njeriut deri në atë kohë – 319 metra.

1937 – Në Kaliforni, Ura Golden Gate hapet për trafikun e këmbësorëve, duke krijuar një lidhje jetike midis San Franciskos dhe kontese Marin.

1942 – Lufta e Dytë Botërore – Operacioni Anthropoid; shefi i sigurimit nazist gjerman Reinhard Heydrich plagoset rëndë në Pragë dhe vdes 8 ditë më vonë. Operacioni ishte përgatitur nga britanikët me miratimin e qeverisë çekosllovake në mërgim. Vdekja e Heydrich solli një vale hakmarrjesh nga trupat gjermane, duke përfshirë shkatërrimin e fshatrave dhe vrasjen e 1.800 civilëve. Mendohet se qëllimi kryesor i Operacionit Anthropoid ishte që qeveria në mërgim në Londër të fitonte legjitimitet.

1967 – Aeroplanmbajtësja amerikane USS John F. Kennedy u përurura nga Jacqueline Kennedy dhe e bija, Caroline.

1995 – Në Culpeper, Virginia, aktori Christopher Reeve paralizohet nga qafa e poshtë pasi bie nga kali në një garë hipizmi. Reeve – aktor filmik, drejtor, regjisor, skenarist, autor dhe aktivist – njihet kryesisht për rolin e supermenit (Klark) në filmin me të njëjtin titull. Që nga koha e paralizimit fizik e deri sa vdiq më 2004, ai loboi fuqishëm për kërkime shkencore në fushën e qelizave embrionale për trajtime mjekësore – themeloi Fondacionin Christopher Reeve dhe bashkë-themeloi Qendrën e Kërkimeve Reeve – Irvine.