MENU
klinika

Memorandumi

IBMA kërkesë kryeministrit: Lehtëso barrën fiskale!

17.05.2019 - 18:01

Shoqata e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike të Shqipërisë (IBMA) i kërkon Kryeministrit Edi Rama, të mbështesë këtë sektor.

Përmes një memorandumi shoqata kërkon që të ulet taksa vjetore për magazinat dhe ambjentet që grumbullojnë, përpunojnë dhe exportojnë bimët mjekësore dhe aromatike, të shkurtohen procedurat e lejeve të ndërtimit për ato subjekte që duan te ndërtojnë magazina për tharjen dhe ruajtjen e bimëve mjekësore, si dhe taksa e lejes së ndërtimit të mos jetë më shumë se 100 lekë për metër katror, pasi sot llogaritet si të ishte apartament apo lokal.

Shoqata e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike të Shqipërisë(IBMA) zhvilloi Konferencën e Tretë Kombëtare të Industrisë së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, me temë “Kultivimi i bimëve mjekësore dhe aromatike dhe rritja e cilësisë, garanci për rritjen e punësimit dhe eksporteve”.

Sektori i bimëve mjekesore dhe aromatike ka një impakt të rëndësishëm në ekonominë shqiptare me rreth 45 milionë dollarë eksporte në vit dhe 85.000 individë të punësuar kryesisht nga zonat e thella malore dhe rurale, duke ndikuar ndjeshëm në uljen e papunësisë.

Presidenti i Shoqatës, Filip Gjoka theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe konsolidimit të industrisë së bimëve mjekësore dhe aromatike, me qëllim krijimin e një zeri të vetëm në mbështetje të kësaj industrie dhe të punësimit në të.

Në përshëndetjen e tij, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta foli mbi rëndësinë që ka sektori për ekonominë shqiptare në tërësi dhe për individët, të cilët punojnë në këtë industri.

Ai përgëzoi Shoqatën IBMA për arritjen e konsolidimit të industrisë në tërësi dhe cilësoi se një qasje e tillë e forcon industrinë dhe ndihmon rritjen e saj, duke sjellë më shumë përfitime për të gjithë.

Inspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari, në fjalën e tij pëshëndetëse, theksoi iniciativën e inspektoriatit shtetëror për lehtesimin e procedurave te inspektimit ndaj biznesit, duke ulur burokracitë dhe ndihmuar biznesin.

Mënyra më e mirë për një rritje të qëndrueshme, u ra dakort të jetë garantimi i cilësisë së produktit, për të cilën diskutuan Zv/Presidenti IBMA z. Dritan Koldashi dhe anëtarët Agim Ramaj, Gjergj Çibuku, etj.

Në fjalën e tij, Zv/Ministri i Bujqësisë z. Dhimitër Kote realizoi një bashkëbisedim me pjesëmarrësit, duke ju dhënë përgjigje shqetësimeve të ngritura nga anëtarët e shoqatës IBMA.

Në konferencë diskutuan gjithashtu Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH), z. Agim Rrapaj, përfaqësuesja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Zj. Ines Muçostepa , përfaqësuesi i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, z. Sokol Kraja, si dhe përfaqësues nga AIDA, SIPPO, Dhoma e Tregtise Tirane, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Bashkia Tiranë, etj.

Konferenca nxori në pah problematikat kryesore të sektorit dhe industrisë së tij, si dhe përcaktoi objektivat e Shoqatës dhe të mbarë industrisë, si:

1. Fokusimi në trajnime për garantimin e cilësisë së produktit, si rruga e vetme për një rritje të qëndrueshme të eksporteve.

2. Orientimi i fermerëve në kultivimin e bimeve të cilat kanë garanci tregu.

3. Sigurimi i aksesit në tregjet ndërkombëtare, me qëllim rritjen e eksportit te bimëve mjekësore dhe aromatike.

4. Sigurimi i pjesëmarrjes në trajnime brenda dhe jashtë vendit për çështje që lidhen me standartet, cilësinë, sigurinë, metodat e kultivimit dhe prodhimit të bimëve mjekësore dhe aromatike.

5. Sigurimi i financimeve nga donatorë të huaj ose shteti në lidhje me investimet për teknologjinë e përpunimit të bimëve mjekësore dhe aromatike, subvencionimeve për kultivimin e tyre me qëllim rritjen e kapaciteteve prodhuese, financime për pjesëmarrje në panaire të ndryshme brenda dhe jashtë vendit si dhe në organizimin e tureve familjarizuese me qëllim njohjen nga afër të kompanive që operojnë në këtë fushë.

6. Monitorimi i politikave shtetërore që prekin industrinë e bimëve mjekësore dhe aromatike, si dhe propozimi i përmirësimeve që ndikojnë në mbarëvajtjen dhe krijimin e lehtësirave në këtë fushë.