MENU

Deklarata

Integrimi në BE/ Merkel: Mbështesim Ballkanin Perëndimor, por…

19.05.2019 - 09:27

Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi nga Zagrebi i Kroacisë se Gjermania mbështet perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Pas takimit me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç, Merkel u shpreh se pozita gjermane është e njohur.

“Në parim, ne mbështesim perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, por kriteret për aderim duhet të përmbushen”.

Ajo vuri në dukje se foli me Kryeministrin kroat për drejtimin strategjik të presidencës kroate të BE-së në gjysmën e parë të vitit 2020.

Në lidhje me krizën e qeverisë austriake, Merkel tha se nuk mund të flasë për kancelarin austriak Sebastian Kurz, por shtoi se në BE ka rryma politike që duan të shkatërrojnë bashkimin.

Kancelarja gjermane mbërriti në Zagreb të shtunën për tubimin e Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në Kroaci, të cilat janë planifikuar më 26 maj.