MENU
klinika

Artistët i lumturon publiku

“Jarmarka” ruse ndizet në Korçë

17.05.2019 - 19:01

   Për herë të parë, në Shqipëri: “Jarmarka”, ansambli muzikor folklorik rus. Artistët vijnë pas një turi në Evropë dhe Amerikë. “Jarmarka” është grupi muzikor nga qyteti i Permit, në Rusi, që shijoi një shfaqje ndryshe nga të tjerat, në qytetin e Korçës.

 

 

 

Me këngët dhe vallet e njohura, artistët rusë sollën i dhanë ngjyra mbrëmjes korçare. Ata ndjenë të njëjtin emocion nga ky publik përzgjedhës, i qytetit që dallon për traditën e kulturën. Shumë i entuziazmuar, drejtori artistik i grupit, Viktor Kuzminov, u shpreh se, Korça është një qytet që e njeh dhe e admiron kulturën ruse, një arsye më shumë kjo, që ata zgjodhën qytetin juglindor për këtë turne.

 

 

 

“E zgjodhëm Korçën, pasi mësuam se banorët e këtij qyteti e duan shumë kulturën, letërsinë dhe muzikën ruse. Në fakt, këtu pamë dhe takuam njerëz shumë të mirë. Sot u bindëm, se në Korçë, kishim të bënim me një publik mjaft të ngrohtë dhe me zemër, çfarë na ka lumturuar vërtet. Kemi vizituar të gjitha vendet e Evropës dhe Amerikës, por atmosfera që u ndez në Korçë, është e pakrahasueshme me tjetër vend.”

 

 

Sergei Konovallov, gjithashtu pjesë e grupit artistik, nuk mund të mos e shprehë gëzimin që përjetoi falë këtij publiku artdashës. “Ndihemi të lumtur! Nuk e prisja një reagim të tillë, nga publiku shqiptar. Ne vijmë për herë të parë këtu, por besoj se nuk do të jetë e fundit. Unë vetë, ndiej një lloj kënaqësie të thellë shpirtërore.” – ka treguar ai.

Për nder të kulturës së vendit pritës, ansambli “Jarmarka” kishte edhe një surprizë: në fund të shfaqjes, ata interpretuan për qytetarët korçarë, një kolazh me këngë dhe valle shqiptare.