MENU

'Jetoi dy herë'

Legjenda e F1 përcillet në banesën e fundit!

29.05.2019 - 16:51

Yjet e Formula 1 si dhe mijëra njerëz nga mbarë bota i kanë bërë nderimet e fundit legjendës Niki Lauda.

Arkivoli mbi të cilin u vendos skafandra që mbante në kokë gjatë incidentit të vitit 1976, u vendos në Katedralen “St Stephen” që në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure.

Pas përfunimit të homazheve u zhvillua edhe një ceremoni private mortore ku morrën pjesë të afërm dhe miq të tij.

Lauda ndërroi jetë javën e kaluar në moshën 70-vjeçare në Zvicër, aty ku po trajtohej për probleme me veshkat.

Tre herë kampioni i Formulës 1, në vitet 1975, 1977 dhe 1984 ‘jetoi dy herë’ pasi thuajse u shpall i vdekur pas aksidentit të tmerrshëm gjatë Çmimit të Madh të Gjermanisë në vitin 1976.

Pavarësisht djegieve të shkallës më të rëndë dhe intoksikimit prej tymrave toksikë, ai u rikthye befasisht dhe mrekullisht në garat e Formulës 1, vetëm 40 ditë më vonë.

Kampioni aktual i Formulës 1, Lewis Hamilton ka qenë mes udhëheqësve të pilotëve të sotëm në funeralin e Laudës, të cilit i kushtoi edhe fitoren e Çmimit të Madh të Monacos, të dielën e kaluar.

Në ceremoni gjithashtu merrnin pjesë edhe Bernie Ecclestone, ish-piloti austriak Gerhard Berger, ikona e filmit Arnold Schwarzenegger, princi Alberto i Monaco, presidenti i Austrisë, Alexander van der Bellen, Toto Wolff si dhe aktori Daniel Bruhl.

Në 5 vitet e fundit, Lauda mbajti postin e shefit joekzekutiv të Mercedesit, ku ndihmoi skuadrën gjermane të fitonte titujt e dyfishtë të pilotëve dhe konstruktorëve.