Romani “Kukulla”, nga autori më i shquar shqiptar dhe një prej shkrimtarëve më të vlerësuar në Evropë, Ismail Kadare, është prezantuar në panairin e librit, në Shkup. Vepra mban nëntitullin “Portreti i nënës time”.
Kjo vepër autobiografike, është përkthyer edhe në gjuhën maqedonase.
Në romanin e publikuar në vitin 2015, së pari në gjuhën shqipe, ndërsa dy vite më vonë edhe në frëngjisht, ai përshkruan vendlindjen e tij dhe hollësisht figurën e nënës së tij, të cilën, kurrë nuk kishte mundur ta kuptonte plotësisht. Mundohet të zbulojë pse i ishte dukur si kukull. Romani rrëfen jetën e saj prej ditës së martesës, kur shkon si nuse në shtëpinë e madhe të Kadarenjve e deri në ditën e vdekjes.
Romani “Kukulla” është publikuar në gjuhën frënge, italiane, spanjolle, kroate, etj. ndërsa tani edhe në gjuhën maqedonase. Sipas kritikës, kjo vepër meriton notat më të larta, si një nga veprat më të rëndësishme të Kadaresë.