Robert Schuman është ideatori i Europës së Bashkuar. Njeriu që hodhi themelet e një koncepti të ri për funksionimin e kontinentit me të drejtë cilësohet si “Babai i Europës”.
Schuman, një politikan kristian-demokrat dhe njeri mjaft religjioz, ka lindur më 29 qershor 1886 në Luksemburg. Ai zgjodhi shtetësinë franceze në vitin 1919, pasi Alsace-Lorraine iu rikthye përsëri Francës. Nëna e tij, Eugénie Duren (1864-1911), ishte me origjinë luksemburgase, e cila pas martesës mori shtetësinë gjermane. Gjuha e nënës për Schuman ishte ajo luksemburgase, ndërsa gjuha e dytë ishte ajo gjermane. Meqë frëngjishten, ashtu si të gjithë luksemburgasit, e mësoi në shkollë, vërehej theksi gjerman i tij kur fliste këtë gjuhë. Ndërsa arsimin fillor dhe atë të mesëm e kreu në Luksemburg, studimet universitare në fushën e drejtësisë i përfundoi në Gjermani. Schuman ushtroi profesionin e tij si avokat.
Gjatë Luftës së I Botërore Schuman, për arsye shëndetësore nuk u rekrutua në ushtrinë gjermane. Me përfundimin e luftës dhe rikthimin e Lorenës, Francës ai u aktivizua në skenën politike franceze si deputet i Thionville. Schuman vazhdoi të zgjidhej si përfaqësues i kësaj zone në parlamentin francez deri në vitin 1958, me disa ndërprerje gjatë viteve të luftës.
Në vitin 1940, ndërkohë që Lufta e Dytë Botërore kishte filluar, Schuman arrestohet dhe burgoset nga Gestapo, por dy vjet më vonë (1942) ai arratiset dhe bashkohet me Rezistencën Franceze.
Pas Luftës së II Botërore R. Schuman luajti një rol të madh jo vetëm në skenën politike franceze, por edhe më gjerë, në nivel evropian. U emërua fillimisht Ministër i financave në kabinetin e parë dhe për një periudhë të shkurtër (1947-1948) Schuman mbajti edhe postin e kryeministrit të dy kabineteve franceze. Duke pasur parasysh sistemin elektoral francez dhe zhvillimet politike në përgjithësi, qëndrueshmëria e kabineteve ishte e dobët dhe kjo bëri që edhe jetëgjatësia e kabineteve të drejtuara nga Schuman të ishte e vogël, 7 muaj në kabinetin e parë dhe vetëm 6 ditë në kabinetin e dytë.
Një vit më vonë, ai mori postin e Ministrit të punëve të jashtme në kabinetin pasardhës. Robert Schuman ka shërbyer në ekzekutivin e Francës gjithashtu edhe si Ministër i Drejtësisë, ndërsa në komunitetin evropian ai ka mbajtur postin e Presidentit të Asamblesë Parlamentare.
Kur themelohej Bashkimi Europian…
Ishte pikërisht në postin e Ministrit të punëve të jashtme të Francës, kur Robert Schuman së bashku me Zhan Mone përgatitën planin për projektin më të madh evropian, krijimin e Komunitetit Evropian të Çelikut dhe Karbonit (KEÇK). Të përkrahur nga entuziazmi i Kancelarit gjermano-perëndimor Konrad Adenauer dhe liderëve të tjerë të Italisë, Luksemburgut, Belgjikës dhe Holandës për krijimin e këtij komuniteti, Robert Schuman më 9 Maj 1950 shpalli para evropianëve planin e tij për realizimin e këtij projekti, duke ftuar vendet evropiane t’i bashkoheshin KEÇK-së.
Ideja kryesore e Planit të Monesë dhe Schumanit ishte që nëpërmjet administrimit të përbashkët të industrisë së çelikut dhe karbonit të Francës dhe Gjermanisë, të hidheshin bazat e një bashkimi të vendeve evropiane, bashkim i cili do të shënonte fillimin e një epoke të re paqeje, prosperiteti dhe zhvillimi në kontinentin e vjetër.
Duke i ftuar edhe vendet e tjera evropiane t’i bashkohen kësaj iniciative, Plani Schuman tashmë nuk ishte thjesht një plan ripajtimi i fokusuar tek Franca dhe Gjermania, por një platformë bashkimi dhe zhvillimi pan-evropian. Ishte pra një plan i cili synonte të hidhte bazat e një Europe të re, Evropë e cila do t’i linte pas vetes konfliktet dhe do t’i kthehej të ardhmes, zhvillimit ekonomik, konsolidimit të demokracisë dhe mirëqenies së qytetarëve të vet.
Deklarata e 9 majit 1950 dhe plani i Zhan Monesë dhe Robert Schumanit, padyshim që ndryshoi jetën e evropianëve. Nga ana tjetër, përpjekjet e vazhdueshme dhe përkushtimi i përbashkët i shteteve anëtare bëri që kjo sipërmarrje të jetë e suksesshme dhe që projekti evropian të shndërrohet në një platformë paqeje, zhvillimi dhe mirëqenieje në Evropë.
Për rolin dhe kontributin e tij në projektin evropian, Robert Schumanit shpesh i referohen si “Babai I Evropës”.
Në 1958 Schumanit i jepet Çmimi Karlspreis nga qyteti gjerman Aachen. Ky është një çmim që u jepet personaliteteve të shquara që kanë kontribuuar për realizimin e idesë së Evropës. Robert Schuman ndërroi jetë më 4 shtator 1963.