MENU
klinika

Albanologu, përkthyes e kritik... iku!

Lanksh, dashnori i gegnishtes së Camajt

21.05.2019 - 17:19

  “Fjala shqip t’është detorëse për gjithë motin e jetës! Na vorfnove”- Hans-Joachim Lanksch lindi në vitin 1943, në Braunschweig (RFGJ) dhe u shpërngul qysh në rini në Mynih, ku studioi në fushat e filologjisë ballkanike, sllavistikë, kulturë popullore dhe albanologji.

Dashnori i gegnishtes së Camajt: studiues, përkthyes e albanolog, mik i poetit të njohur Martin Camaj, që e fliste aq bukur shqipen, gegnishten veçanërisht, ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit, pas një sëmundjeje të rëndë.

 

 

 

I njohur si studiues, përkthyes dhe mbështetës i letërsisë dhe kulturës shqipe në Gjermani dhe Europë, Lankshi ka përkthyer në gjermanisht, shkrimtarë e poetë të spikatur si Martin Camaj, Lasgush Poradeci, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Visar Zhiti, por edhe autorë të tjerë si Frederik Rreshpja, Jamarbër Marko, Rudolf Marku, Elvira Dones, Ridvan Dibra, Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku, Lindita Arapi, Agron Tufa, Primo Shllaku, Ledia Dushi, etj. Lankshi konsiderohet si një ambasador i rrallë i kulturës dhe letërsisë shqipe. Pas viteve ’90-të, studiuesi gjerman u përfshi në problemet e zhvillimit të kulturës shqiptare, kur sa e sa herë u bë mjeshtër i replikave kundrejt problemeve të mëdha të trashëgimisë kulturore dhe problemeve të aktualitetit.

Lanksh ka nisur të përkthejë letërsi shqipe në gjermanisht, në vitet ’80-të, ku përveç Camajt që jetonte në Gjermani, ai kishte pasur takuar poetët e mëdhenj të Kosovës, si: Azem Shkreli, Ali Podrimja, Din Mehmeti, Rrahman Dedaj, etj. Vetë Lanksch, është shprehur se pas viteve ’90-të ka “gjetur” e klasën e poetëve të viktimizuar nga diktatura. Për gjuhën shqipe, ai shprehej, se e pëlqente më tepër gegnishten letrare, “por më pëlqen po kaq idiomi jugor, gjuha e Lasgushit, Kutelit, Trebeshinës etj. Duke shkruar në gjuhën standarde, më vjen keq se nuk mund ta përdor e-në trema para bashkëtingëlloreve hundore (përmënd, zëmëra etj).” – ka rrëfyer vetë, gjatë intervistave.

 

 

 

Po ashtu, ai nuk ka qenë pasiv as për kritikën letrare në Shqipëri, duke theksuar mungesën e plotë të saj: “Kritika letrare shqiptare pothuaj nuk ekziston. Zëvendësohet nga puna klanore. Kritika u televizionit. Çështje supërfaqësore. (Flas për Shqipërinë). Përmenden dhe laureohen penda të një karuseli gjithnjë e më shumë emrash të njëjtë. Kritika e përkthimit letrar mungon totalisht (ngjashëm me gjendjen në Gjermani). Mungojnë kritikët që njohin mjaftueshëm të dyja gjuhët. “Kritika” shterret me klishetë qesharake se përkthyesi përdor “një shqipe të rrjedhshme”, – ka vërejtur albanologu.

Në të njëjtën kohë, Lankshi nuk reshti së përkrahuri vlerat e rralla, duke thirrur për më shumë vëmendje karshi poetit Martin Camaj, i padëshiruar në Shqipërinë komuniste të kohës. Ai ishte i mendimit, me të drejtë, se pavarësisht se Camaj jetonte në Gjermani, ai shkruante letërsi shqipe dhe ishte pjesë e saj. “Shkrimtarin Martin Camaj nuk e nxori diaspora, mërgata a ekzili, por tradita e letërsisë shqipe dhe thesari i traditave gojore të Shqipërisë së Veriut. Në krijimtarinë e Martin Camajt, nuk gjenden elementet tipike të shkrimtarëve të mërgatës a ekzilit. Ata zakonisht merren qoftë me letërsi sentimentale patriotike, që e idilizon dhe glorifikon atdheun, qoftë me letërsi të politizuar që e akuzon vendlindjen dhe rrethanat politike në të. Autorë të tillë, zakonisht merren edhe me shkrime gazetareske që e damkosin sistemin diktatorial në vendlindje. Ndryshe nga ata, shkrimtari Camaj shkroi me këmbëngulje letërsi, letërsi të mirëfilltë dhe asgjë tjetër. Ai është një autor i letërsisë shqiptare në kohën e diktaturës komuniste, një nonkonformist për nga stili e estetika dhe për nga përmbajtja e veprës së tij, një shkrimtar jashtë kornizave të letërsisë zyrtare të kohës, por jo jashtë kornizave të letërsisë së Shqipërisë.”, – ka shkruar përkthyesi dhe albanologu gjerman.

 

 

 

“Puna e tij është laureuar me çmimet “Nikolaus Lenau“ i Shoqatës së Artistëve në Esslingen (1999); “Penda e Argjendtë“ (Tiranë 2002) dhe “Azem Shkreli“ (2018).” Duke shprehur hidhërimin për ikjen e albanologut Lanksh, Demiraj kujton fjalët e tij: “…Der Tod gehört zum Leben“ (Vdekja i takon jetës) mbaj mend të përmendte Përkthyesi, kur mësonte për largimin e përjetshëm të kolegëve dhe miqve. Është rasti ta përsërisim këtë maksimë edhe ne miqtë dhe kolegët tij në këto momente zije dhe ngushëllimi në kulturën shqiptare”. Studimi i thelluar i gjuhës shqipe, i kulturës dhe letërsisë shqipe u përftua natyrshëm falë njohjes dhe miqësisë me prof. Martin Camajn, i cili drejtonte atë botë degën e albanologjisë në universitetin elitar „Ludëig-Maximilian“ të Mynihut. Falë kësaj kësaj njohjeje, zoti Lanksh nuk u shkëput më nga letërsia dhe lirika shqipe, duke bartur e përcjellë kandin e saj në hapësirën gjermanishtfolëse.” – shkruan Demiraj .

Ndërsa, studiuesja Ledi Shamku, ka zgjedhur ta shprehë dhimbjen për largimin nga jeta të përkthyesit, me një homazh të përzemërt: “Ti strehove e flatrove fjalën e tash fjala t’u bëftë strehë e flatër! Në fillim qe fjala e fjala qoftë n’amshim me ty! Fjala shqip t’është detorëse për gjithë motin e jetës! Na vorfnove”./Konica.al

Përshtati: Hera Lera