MENU

Nga Alban Daci

Mbaruan zgjedhjet në Itali…Komuniteti shqiptar duhet të krijojë partinë e vet!

27.05.2019 - 15:22

Tashmë, mbaruan zgjedhjet në Itali e për fat të keq, rezultati doli ashtu siç e kisha parashikuar unë, me asnjë fitore mes shqiptarëve.

Në këto zgjedhje kam parë çudira “alla shqiptarçe”. Nuk ngeli njeri nga Shqipëria pa “mbështetur” kandidatët tanë, deri edhe Presidenti i Republikës, gazetat shqiptare e në fund Veliaj, që s’mund të mungonte. A thua, se shqiptarët do të zgjidheshin në Itali përmes një marrëveshje dy palëshe mes Italisë e Shqipërisë e jo përmes votës së drejtpërdrejtë të shtetasve italiane.
Mbetemi qesharak dhe naivë përballë shoqërive, ku jetojmë e nuk kuptojmë asgjë rreth tyre.

Të gjithë ata që “mbështeten” kandidatët shqiptarë, kanë zero impakt në elektoratin (sovranin italian). Në shoqerinë italiane ndikimi i tyre është zero!

Madje, shumë italianë nuk e dinë akoma nëse Shqipëria është Republikë Parlamentare, apo Monarki!

Më shumë mbajnë mend monarkinë e mbretit Zog, se sa çfarë ka ndodhur pas viteve ’90. Kandidatët shqiptarë u sollën sikur ishin të deleguar të politikës shqiptare e të faktorit të shoqërisë shqiptare, të asaj pjese shoqërie “tallava”, ku i kanë borxhe njëri-tjetrit, qokat e nderet reciproke.

Kandidatët shqiptarë duhej të kërkonin të votoheshin nga komuniteti shqiptar me shtetësi italiane e nga italianët me kombësi italiane.

Të parën nuk e kanë siguruar, sepse jemi komuniteti më individualist në botë, më egoistë dhe me doza të mëdha xhelozie brenda llojit.

Pranojmë, të votojmë “djallin e mallkuar”, por jo një “tonin”.

Ndërsa nga italianët, me kombësi italiane, nuk votohen, sepse kanë zero integrim, zero impakt e shoqëria italiane është asimiluese e aspak e hapur ndaj të huajve.

“Lega” ka krijuar një atmosferë aspak pozitive për të huajt. Italia vazhdon të jetë i vetmi vend në BE, ku shtetasit e saj me origjinë apo kombësi të huaj nuk mbulojnë asnjë pozicion të rëndësishëm vendimmarrje apo karriere në politikë dhe institucione.

Të huajt, në Itali, shihen si persona që ju rrëmbejnë punën, profesionin, rrisin konkurrencën e përfitojnë shërbime me shumë se italianët.

Në atmosferën e kësaj optike edhe kandidatët me origjinë, apo kombësi te huaj, do të shihen me diskriminim e do të eliminohen nga çdo garë.

Duke qenë se e njoh mirë komunitetin shqiptar në Itali, mendoj se ka vetëm një zgjidhje për ta: të krijojnë një parti politike që ta regjistrojnë në Shqipëri dhe Itali e të marrin pjesë në zgjedhjet shqiptare, por edhe në zgjedhjet italiane.

Shqiptarët janë më shumë se gjysmë milioni në Itali e shumë prej tyre kanë shtetësi italiane.

Për  këtë arsye mjaftojnë që të sigurohen votat e komunitetit dhe është i garantuar përfaqësimi i shqiptarëve në vendimmarrjen italiane.

Është imediate krijimi i partisë politike të shqiptarëve në Itali e kjo duhet të vlejë si thirrje për çdo shqipëtar që jeton në Itali.