MENU
klinika

"Pambarimi i Leopardit"

Më i madhi lirik i kombit të vet

28.05.2019 - 14:33

   “Nuk e vëren o shejtane, që je e bukur si një ëngjëll?”

 

Poezia “Pambarimi” i Xhakomo Leopardit (Giaccomo Leopardi) mbush sot 200-vjeç, vargje të pasura me kuptim, të cilat janë shndërruar në simbol të literaturës italiane. Nuk kemi të bëjmë thjesht me një poemë të bukur, përkundrazi ajo portretizon në përsosmëri gjendjen e brendshme shpirtërore të njeriut.

Hapësira dhe koha si një entitet i pakufizuar, që realizohet në ndërrimin e stinëve, në kalimin e kohës, në jetën që vdes dhe rilind pa pasur një zgjidhje të vazhdimësisë. Këto janë konceptet kryesore të “Pambarimit” të Xhakomo Leopardit, një nga poezitë më të dashura, të cilën shumëkush prej nesh e ka të skalitur në memorie.

 

 

 

 

Madhështia e natyrës predominon, Leopardi e kthen shikimin tek elementët e njohur të peizazhit që i shkaktojnë një reflektim të thellë mbi misteret e ekzistencës. Elementët natyrorë, protagonistë në vargjet e para janë një kodër, një gardh që i pengon pamjen. Elementë të paktë, porse i lejojnë autorit të reflektojë mbi hapësirën dhe kohën, mbi të kaluarën dhe të tashmen, si dhe atë pafundësi që i vendos ato, edhe pse të vogla, përballë madhështisë së këtyre elementeve. Autori parapëlqen të endet përtej kufijve.

Rresht pas rreshti, tronditja ia lë vendin ëmbëlsisë, me reflektimet “e pafundme” të autorit, që shndërrohen në udhërrëfyese për të gjetur kuptimin e së shkuarës dhe të së tashmes së tij. Si rrjedhojë, kufijtë e Leopardit bëhen një mundësi për të shkuar më tej, duke përdorur imagjinatën. Një përvojë personale dhe intime, tek e cila poeti i Recanatit braktis veten, i përfaqësuar mirë në vargjet: “Kështu mêndimi mue n’at pamatësì kryekput më mbytet: e mbytja m’asht e ambël në kët dêt”.

 

Pambarimi

Prorë e pëlqeva kët kodrín’ vetare

edhe kët gardh, qi i a ndalin shikimit

mâ të madhën pjes’ të horizonit t’fundëm.

Por tue ndêjë e tue vrojtun, t’pambarueme

hapsìna përtè saj edhe heshtìna

mbinjerzore e ‘i qetsì shum e shum t’thellë

përfytyroj me mênd e n’to mue zêmra

disì m’frigohet. E tue qên’ se erën

ndëgjoj tue frushulit’ nepër kto lândë,

un rrij e krahasoj gjith’ at heshtì

t’pasosun me kët zâ dhe m’përkujtohet

amshimi, t’shuemet stin’ dhe koha e sotme

gjallë, e zhurma e saj. Kështu mêndimi

mue n’at pamatësì kryekput më mbytet:

e mbytja m’asht e ambël në kët dêt.

 

(Ernest Koliqi)

 

Sot, simboli i letërsisë italiane festohet në të gjithë Italinë, në veçanti në Recanati, vendi i origjinës së poetit që frymëzoi lirikën. Shtëpia e familjes Leopardi nuk duket madhështore, përkundrazi, ajo është e thjeshtë dhe elegante. Për të hyrë në të, ekziston një shkallë e madhe e shekullit të 18-të, mirëpo fatkeqësisht nuk mund të vizitohet, sepse familja Leopardi vijon të jetojë ende atje. I vetmi rejon i hapur pë publikun është biblioteka. Realizimi i bibliotekës i detyrohet Monaldos, babait të poetit, i cili filloi t’i grumbullonte librat që në adoleshencë, duke përbërë kështu një trashëgimi të jashtëzakonshme që arrijnë deri në 20,000 vëllime, mbetur të pandryshuara me kalimin e kohës që nga themelimi i bibliotekës. Rreth kësaj biblioteke vërtitej gjithë jeta e familjes Leopardi, duke zhvilluar studime dhe njohuri mbi çdo veprimtari tjetër.

 

 

 

 

Deri në vitin 1812 konsiderohej si vend “i shenjtë” në dispozicion të familjes, por prej këtij viti Monaldo vendosi ta hapte edhe për miqtë dhe qytetarët e Recanatit, siç shpallet nga pllaka e ruajtur në dhomën e dytë, duke u bërë një institucion i qytetit. Bie në sy kodra e “Infinitit”, që frymëzoi Xhakomon të shkruante poezinë e tij të bukur dhe emblematike, duke ecur përgjatë kodrës që kufizohet me kopshtin e shtëpisë së tij. Xhakomo Leopardi është një poet fort i dashur për italianët dhe shumë prej poeizve të tij janë në fondin e artë të poezisë jo vetëm italiane, por edhe më gjerë.

 

Poeti italian Xhakomo Leopardi, më i madhi lirik i kombit të vet, natyrisht me përjashtim të Dante Aligerit (1265-1321), që mbahet si më i madhi krijues italian i të gjitha kohërave, pati një jetë të vetmuar, të shkurtër e të dhembshme, të tronditur nga ankthe e makthe, nga sëmundje e varfëri. Gjeni i parapjekur, ai është i ndjeshëm ndaj absurditetit të gjendjes njerëzore, ndaj pashpresës dhe vetmisë së njeriut në gji të një natyre shpërfillëse ndaj fatkeqësive të tij. Veprat kryesore “Pafundësia” (1819) dhe “Këngë (1831)./Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit