MENU
klinika

Deklarata e kancelares

Merkel: Kemi interesa të përbashkëta me Turqinë

16.05.2019 - 15:01

Kancelarja Angela Merkel ka nënvizuar rëndësinë strategjike të Turqisë për Gjermaninë të premten, pavarësisht ndryshimeve të vazhdueshme politike midis Berlinit dhe Ankarasë.

“Vlerat tona politike ndryshojnë në shumë fusha dhe megjithatë ne kemi interesa të përbashkëta,” tha Merkel në një intervistë me të përditshmen Suddeutsche Zeitung.

Ajo theksoi rolin e rëndësishëm të Turqisë për një zgjidhje politike në Siri dhe në luftën kundër terrorizmit, si fusha ku të dy vendet ndajnë interesa të përbashkëta.

“Politika e jashtme gjithmonë kryhet si një përzierje vlerash dhe interesash, dhe gjithashtu duhet të gjendet ekuilibri i duhur”, tha ajo duke hedhur poshtë kritikat nga partitë opozitare gjermane rreth politikës së qeverisë së saj ndaj Turqisë.

Merkel shprehu skepticizëm në lidhje me një perspektivë të plotë anëtarësimi ndaj Turqisë. “Zhvillimet aktuale pas zgjedhjeve lokale nuk e bëjnë më të mundshme që Turqia të bashkohet me Bashkimin Evropian”, tha ajo, duke shtuar se ajo ka qenë gjithmonë skeptike për anëtarësimin, por favorizoi “marrëdhëniet speciale” midis BE dhe Turqisë.

Megjithatë, Merkel gjithashtu mbështeti vazhdimin e bisedimeve të pranimit në një mënyrë të hapur, pasi kjo iu premtua Turqisë në vitin 2005 përpara se Kristian Demokratët të vinin në pushtet në Gjermani.

Procesi i anëtarësimit të Turqisë në BE ka qenë prej kohësh një çështje ndarëse në politikën gjermane, pasi Social Demokratët kanë mbështetur anëtarësimin, por Kristian Demokratët favorizojnë një partneritet të veçantë me Turqinë.

Përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian javën e ardhshme, konservatorët gjermanë dhe kandidati i tyre kryesor Manfred Weber nisën një fushatë kundër anëtarësimit të Turqisë në BE.

Weber po garon për t’u bërë presidenti i Komisionit Europian pas Jean-Claude Juncker, mandati i të cilit do të përfundojë në tetor.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Project Syndicate

‘Tragjedia’ e Angela Merkel

Deklaratat e Annegret Kramp-Karrenbauer

“Pasardhësja” e Merkelit: Epoka e saj ka mbaruar