Napoli ka shkatërruar Interin në San Paolo me rezultatin e thellë 4-1.
Ekipi i Ancelottit ka tronditur shpresat e zikaltërve për një vend në Champions League.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal 1-0 për të kaltërit pas supergolit të Zielinskit.
Në të dytën Napoletanët bombarduan portën zikaltër me 3 gola të njëpasnjëshëm ku shënuan Mertens (61’), dhe Ruiz (71’ e 78’).
Icardi shënoi golin e nderit për zikaltërit me një penallti të fituar vetë në minutën e 81’.
Asgjë nuk ndryshoi deri në fund dhe Napoletanët triumfuan bindshëm duke lëkundur pozitat e Interit për një vend në katërshen e parë.
Një rezultat mjaft të mirë mori edhe Atalanta në “Allianz Stadium”, ku doli me një pikë falë barazimit 1-1 ndaj Juventusit, në mbrëmjen e festës së titullit kampion për bardhezinjtë, por edhe lamtumirës së Barzaglit dhe Allegrit.
Josip Iliçiç shënoi për bergamaskët në pjesën e parë, ndërsa Juventusi baraspeshoi shifrat me anë të Mario Mandzukiç, 10 minuta para fundit të sfidës, rezultat ky që mbeti i pandryshuar deri në fund, por vlen të theksohet se në minutat shtesë Bernardeschi u ndëshkua me karton të kuq.
Me këtë barazim, Atalanta ngjitet në vendin e tretë dhe është “zot” i fatit të saj, pasi do t’i duhet të fitojë në ndeshjen e fundit në shtëpi, përballë Sassuolos, për të siguruar pjesëmarrjen në Champions.
Gara për Champions League është bërë më e zjarrtë se kurrë ku 6 skuadra luftojnë për dy vende që të kualifikojnë direkt në fazën e grupeve.