Milwaukee është skuadra e parë finaliste e konferencës në play off-in e këtij sezoni të NBA.
Bucks, të drejtuar nga Mike Budenholzer, dhuruan një tjetër paraqitje fantastike, duke mposhtur në ndeshjen e 5-të Boston Celtics me rezultatin 116-91 dhe për ta mbyllur serinë gjysmëfinale të Lindjes me shifrat 4-1.
Për herë të fundit ata kishin arritur në finale të konferencës në vitin 2001, kur u mposhtën 4-3 nga Philadephia 76ers.
Te Bucks, në këtë sfidë të 5-të me Celtics, spikati loja në grup, me plot 7 basketbollistë vendës që arritën numër dyshifror pikësh.
Më i miri rezultoi Giannis Antetokounmpo, që realizi 20 pikë, dha 8 asiste dhe rikuperoi 8 topa, ndërsa Khris Middleton dhe Eric Bledsoe ndihmuan respektivisht me 19 dhe 18 pikë.
Celtics paguan pasaktësinë në gjuajtjet për tri pikë, aq sa pikëshënuesi më i mirë rezultoi Kyrie Irving me vetëm 15 pikë.
Në duelin tjetër gjysmëfinal, por në Konferencën e Perëndimit, Golden State Warriors shfrytëzuan faktorin fushë dhe morën kryesinim e serisë në 3-2, pasi mposhtën 104-99 Houston Rockets.
Një sukses i hidhur për kampionët në fuqi të NBA-së, që humbën në periodën e tretë Kevin Durant për shkak të një tërheqjeje muskulore, që me shumë mundësi e bën të pamundur praninë e tij në sfidën e radhës apo në atë 7-të, nëse Rockets fitojnë në shtëpi.
Më i miri mbi parket rezultoi Klay Thompson me 27 pikë, ndërsa Stephen Curry u shfaq vendimtar në periodën e katërt, duke e mbyllur takimin me 25 pikë.