Një nga korifenjtë e të menduarit të kësaj bote më duket, Ajnshtajni, thotë se vetëm budallenjtë presin që duke bërë të njëjtin eksperiment të marrin rezultate të ndryshme. Rrëmujat e pafundme të këtyre viteve, veçanërisht ato të lidhura me “Çadrën” dhe ato të tanishmet, tregojnë se në grackën e të menduarit, që përmend kollosi i shkencës, kanë rënë brenda partiakë dhe analistë….
Në disa analiza apo komente ndonjëherë edhe të gjata, jam munduar të argumentoj se Partia Demokratike nuk është vjedhur nga njeri. Ka vjedhur thjeshtë veten e saj, nëpërmjet ca manovrave që një njeri normal do t’i kuptonte për tre minuta.
Kësaj radhe, nuk do t’u hyj komenteve shpjeguese. Fjalët, në këto momente, ku politikanë e analistë hidhen e përdridhen çdo ditë, pa u marrë me analizën reale, që është vetëm një dhe vetëm një, pra ajo e numrave, po vendos më poshtë një tabelë që është me shifra. Dhe pastaj, për ata që nuk i kanë qejf shifrat, po përdor një grafik elementar.
Në tabelën e mëposhtme janë rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të viteve 2009-2013 dhe 2017. Këto për katër parti PS-PD-LSI –PDIU.
Siç shihet në vitin 2009, rezultatet e PS dhe PD pas zgjedhjeve të përgjithshme, janë thuajse të njëjta. PS ka 620 mijë dhe PD 610 mijë votues. Diferencën e bën LSI që ka 73 mijë votues. Bashkimi i kësaj të fundit me PD- në, çoi në fitoren e njohur të 2009. PDIU, ka 14 mijë votues.
Në vitin 2013 PS, ka arritur në 713 mijë votues, PD zbret në 528 mijë. Kemi një rritje të madhe gati 100 mijë vota për PS.
A mund të thotë PD, se në vitin 2013, kur ajo e kishte në dorën e saj mekanizmin e numërimit të votave, se PS i kishte vjedhur 100 mijë vota?
Sekreti i kësaj çudie duket kur sheh votat e LSI. Ajo është shtuar me 100 000 vota. Ku i gjeti? Thuajse kaq ka humbur PD. Kam shkruar shpesh se këto vota, LSI së, fillojnë e i shtohen pas vitit 2009 dhe praktikisht në vitin 2011 e në vazhdim. Në zgjedhjet lokale të 2011, PD shkoi edhe njëherë në koalicion tanimë hapur me LSI. Duke i dhënë disa prej qyteteve kryesore mbështetje kandidatit zyrtar të kësaj të fundit.
Po pse nuk i ktheu LSI këto vota, megjithëse humbi qytetet që ju besuan?
Arsyeja është e thjeshtë. E bashkuar në 2013 me PS, LSI mori me vete 100 mijë votat që ishin edhe të PD-së. Duke qenë në pushtet, ajo i siguroi përkrahësit e rinj të ardhur nga PD e vjetër, se ishin të mbrojtur në ombrellën e saj. Në këtë operacion merr pjesë dhe nga pak PDIU, e cila rritet dhe ajo me 30 mijë vota.
Me këtë renditje shkojmë në 2017. Duke qenë se deri afër fundit, shumica e votuesve ishte e bindur se do të kishim përsëri aleancë PS-LSI, dukej qartë se nuk kishte pse të kishte ndryshime të mëdha. Në fakt kemi rënie të rritjes së PS që shkon nga 713 në 764 mijë vota. Një rritje shumë më të madhe të LSI që shkon nga 180 mijë në 225 mijë dhe gati dyfishim të PDIU nga 44 në 76 mijë vota. Po ndërkohë vazhdon “gryerrja e madhe” e PD së. Nga 530 mijë në 455 mijë vota.
A ka vjedhur vota PS?
Në 2013 PS rritet 100 mijë vota kur votat i numëron PD, Në 2017 ajo rritet vetëm me 50 mijë vota pra gjysmën e asj që erdhi në pushtet. Po LSI rritet nga 2009 në 2017 me 3,5 herë dhe PDIU me gati 5,5 herë. PD humb gjatë këtyre viteve nga 2009 në 2017 mbi 160 mijë vota.
Vetëm një budalla në analizë nuk e kupton kush ja ka marrë votat PD së.
“Pazari i Çadrës” në 2017, thuhet se ndihmonte Bashën të korrigjonte këtë strategji të çmendur, nga 2009 deri në 2017. Duket se Basha e kuptoi më në fund dhe filloi për dy javë në fushatën e këtij viti, të mallkonte LSI. Po pastaj ndërroi kurs ( një Zot e di pse?) me rezultat thellimin e humbjes.
Analiza e mësipërme, nuk ka të bëjë me aspektin historik apo evolucionin e ngjarjeve në këtë plan. Ajo, thjeshtë tregon se çdo të thotë të mos kuptosh atë që dikur e kam shprehur me qesëndi. Kur Berisha fërkoi duart nga ndarja PS me LSI, duke thënë se edhe të bashkoheshin nuk bënin dot më një mollë të tërë, çka ishte e drejtë dhe e vërtetoi 2009, u shoqërua pastaj me një budallalëk të madh në planin strategjik.
Duke shartuar mollën e LSI me dardhën e PD-së dolën rezulatet e tanishme që janë të tmerrshme për PD në. Dardha doli me shije molle.
Nga sa më sipër duket qartë se PD nuk ka pse ti ankohet Ramës për veten. PS ka ulje nga 2013 nëse i referohesh përqindjeve. Rritja e saj nga 2013 në 2017 është thuajse rritje të ardhurish të rinj 18 vjeçarë, e asgjë më tepër.
Po si dilet nga kjo situatë?
PD vërtitet poshtë e lartë Shqipërisë me parullën që ja ka vjedhur votat Rama. Për ata që nuk i tresin dot shifrat lart, ngjarjet po i japim dhe me tabelë grafike.
Në ditët e fundit ku në rrëmujën e ngjarjeve dolën letrat e Ramës u dukën dhe ca kushte të Bashës. Ato u harruan dhe asnjë analist nuk i përmendi po një sy i vëmendshëm, shikonim në 5 kushtet e tij kundrejt 5 letrave të Ramës, një përpjekje që duket se korrigjon gjërat, po në thelb tregon kasaphanën e mësipërme.
Basha theksoi se do një President me kompetenca më të mëdha (PSE?). Pastaj, kërkoi një sistem të ri zgjedhor, proporcional. (PSE?). Nuk po i përmend të tjerat, Basha duket do të qetësojë aleatët dhe Presidentin për nesër. Pastaj, ata mund ta lënë prapë në baltë nëse nuk marrin garanci të mëdha në rrugën që po i tërheq.
Arrihet gjëkundi.?
Mendoj se jo. Së pari duhet kuptuar se gomari nuk çalon këtu, nga veshët. Siç theksova më lart, nga leximi i tabelave apo shifrave votat e PD- së, kanë humbur nga manovrat taktike të bëra nga udhëheqësia e saj. Varianti më i drejtë do të ishte të mbylleshe në një dhomë dhe të analizoje saktë, çka ndodhur realisht pa vënë Shqipërinë në rrëmujë. Të huajtë i dinë para Bashës dhe meje analizat e shifrave, dhe nuk i gënjen dot. Vetë PS-së nuk i intereson të thotë të vërtetën në sy të popullit, po me siguri jua kujton të huajve të vërtetën e shifrave sipër dhe siguron qetësinë e plotë nga e vërteta e kësaj kasaphane që në thelb vazhdon të dëmtojë PD-në…
Kuriozë për të mbyllur këtë analizë. Po të mbledhësh votat e PD-LSI-PDIU dhe PBDNJ, bëjnë më shumë se të PS-së në 2017. Pra, po të bëheshin bashkë këto katër parti e mundin ndoshta PS-në. Po a bëhen?
Mundet, por ekziston rreziku i shartimit, jo vetëm të mollës me dardhën, por edhe me kungullin, e pjeprin. Në këtë rast një Zot e di seç del.