Historia e kulturës arbëreshe të Italisë ka shumë figura të përmendura, që nuk njihen sa duhet e si duhet në masën e gjerë të lexuesve.
Një nga këta është edhe dijetari Dr. Mikel Markianoi, personalitet poliedrik, i cili u ngrit në shkallët më të larta të artit dhe të shkencës së letërsisë, sidomos në fushën e studimeve dhe të kritikës letrare. Është një nga njerëzit më të shquar të italo-shqiptarëve të Kalabrisë, veprat e tij njihen edhe në Evropë. Kishte kulturë të gjerë, si shkrimtar dhe shkencëtar, dallohej për horizontin dhe diapazonin e gjerë, veçanërisht në shkencat humanitare.
Harmonizonte në sintezë profilin e poetit e të përkthyesit me atë të gjuhëtarit e të folkloristit, të historianit dhe të etnografit. Ndihmesat e tij çmohen në historinë e albanologjisë, por njihet edhe si orientalist, helenist dhe latinist. Qe hartues tekstesh shkollore, përkthyes i letërsisë klasike greke, latine e gjermane në italisht, si edhe një stilist i përkryer.
Familja e tij është e lashtë dhe e përmendur për njerëzit e ditur që ka nxjerrë: shkrimtarë, arsimtarë, gjyqtarë, etj. Etërit, gjyshërit e stërgjyshërit e Mikelit kanë qenë shkodranë. Të parët e kësaj shtëpie arbëreshe, të njohur për atdhedashuri, ngjiten deri në shekullin XV. Markianojtë janë shqiptarë autentikë.
Në “Rapsoditë kombëtare” të Jeronim De Radës ndeshet emri i tyre së bashku me ata të fisnikëve të tjerë shqiptarë. Engjëll Mashi, te “Ligjëratë mbi prejardhjen e kombit shqiptar”, e regjistron shtëpinë e tyre në mes të bujarëve të tjerë të ngulimeve arbëreshe të Kalabrisë, duke u mbështetur në emblemën e familjes së tyre. Në kishën e famullisë së katundit Maq arbëresh, gjendet një pikturë që paraqet stemën e familjes së tyre. Sipas dëshmisë së De Radës, emblema, ishte një shkrirje apo përzierje e dy familjeve bujare: e Markianojve dhe e Kontëve avati. Markianojtë shfaqen edhe në dy poema të Jeronim De Radës.
Te “Skënderbeu i pafan”, del në skenë Odo Markianoi. Poeti na thotë se kishte lindur në Shkodër. Po kështu, te “Jeta e Serafina Topisë”, përshkruhet mburoja dhe shpata e një djaloshi të shtëpisë së Markianojve.
Mikel Markianoi lindi në katundin Maq, më 8 tetor 1860. Ishte kushëri me poetin e madh arbëresh Jeronim De Radën, nga i cili u ndikua për të mirë gjatë gjithë jetës së vet. Poeti i drejtohet Mikelit në këtë mënyrë: “Shumë i dashuri kushëri” ose “Nipi im i dashur”. Shtëpia, ku banoi De Rada në Maq, ka qenë dikur e Markianojve. Mori një arsim shkollor të lartë, të fituar me punë sistematike dhe këmbëngulëse, duke lexuar e studiuar kryeveprat e letërsisë antike e moderne, veçanërisht klasikët grekë e latinë.
I pajisur me këto dijeni kaq të hapura, u vu me pasion të madh të punojë për lulëzimin e letërsisë shqipe, për t’u dalë zot të drejtave të kombit tonë.
Në Fakultetin e Filologjisë Romane të Universitetit të Napolit pati udhëheqës shkencor orientalistin e famshëm, Mikel Kerbaker, i cili i dha drejtimin e duhur në studimet e Orientit. Pasi u diplomua në letërsi dhe në filozofi, shërbeu si mësues i letërsisë në gjimnazin e “Poala”-s dhe, më pas, në atë të “Madaloni”-t, si dhe në liceun “Vinçenco Lanca” të Foxhas. Mbajti katedrën e gjuhëve klasike greke e latine, që nga viti 1894 deri më 1921. Në këtë qytet dhe në këtë periudhë, për njëzeteshtatë vjet, iu kushtua dhe përkushtua veprimtarisë së tij letrare të shumanshme, të begatë e të larmishme, si shkrimtar, albanolog, humanist, gjuhëtar e atdhetar, duke i dhënë shfrim dashurisë së tij të madhe për çështjen shqiptare, pasionit të thellë për shkencat filologjike dhe zjarrit të pashuar për letërsinë dhe folklorin arbëresh.
Krijimtaria letrare e shkencore e dr. Mikel Markianoit është shumë e pasur dhe e larmishme. I frymëzuar nga ndjenja të pastra shqiptare, Markianoi punoi pa u lodhur, për njohjen e veprimtarisë letrare të arbëreshëve të Italisë. Ndër shkrimet e letërsisë së vjetër shqipe do të përmendim, në radhë të parë, zbulimin dhe botimin e vjershave të Nikollë Filjes (1682-1769) nga Munxifsi (Mexojuzo) e të Nikollë Brankatit (1671-1741) nga Hora, si dhe të arbëreshëve (Piana dei Greçi). Që të dy shkrimtarë shqiptarë prej Sicilie, të shekullit XVIII.
Shkrimet e tyre dhe këngët e vjetra shqipe, Markianoi i gjeti dhe i mblodhi në një udhëtim që bëri në vitin 1901, në ngulimet arbëreshe të Kapitanatës. Vjershat e tyre i botoi, më 1908, me titull: “Poezi fetare shqipe”. Pas tri vjetësh, botoi katekizmin e Filjas, titulluar: “I krishteu arbëresh”. Një kritikë të rreptë për këtë botim jo pa gabime të Markianoit, shkroi dijetari i përmendur arbëresh i Sicilisë, Gaetano Petrota.
Dr. Mikel Markianoin e kanë interesuar edhe çështjet e gjuhësisë shqiptare. kjo ndihmesë e tij modeste, ende nuk është vënë në dukje në studimet tona, botuar për historinë e gjuhësisë shqiptare. Le të përmendim këtu vetëm titujt e punimeve të tij me këtë karakter: “Relikë e gjurmë të trungut të lashtë glotik shqip e afri të gjuhëve trakishte, maqedone e iliriane”, “Gjuha shqipe dhe një kritikë moderne”, dy pjesë, “Polemikë shqipe”. “Gjurmime etnografike dhe gjuhësore trako-ilirishte”.+
Në fushën e studimeve historike janë për t’u përmendur veprat: “Politika shqiptare e shtetet ballkanike prej vitit 1897 deri më 1901”, “Shqipëria e çështjes shqiptare”, “Kufijtë e shtetit të ri shqiptar”, etj.
Si studiues e kritik letrar, ai dha një vështrim të përgjithshëm të letërsisë arbëreshe në punimin: “Ngulimet arbëreshe në Itali dhe letërsia e tyre”. Dr. Mikel Markianci, si filolog klasik, u mor edhe me letërsinë greke dhe atë latine. Veç këtyre, Markianoi botoi edhe vepra të tjera, si “Balladat e Gëtes”, “Për historinë e Manfredonies”, “Babrio”, “Tema hartimesh”, “Hartimet në shkollat e mesme”.
Dr. Mikel Markianoi punoi tërë jetën për të nxjerrë në dritë folklorin tonë të pasur, lashtësinë e gjuhës amtare, traditat e njohura të kulturës kombëtare, vlerat e letërsisë artistike shqiptare. Ai qe një burrë me kulturë të gjerë në vargun e gjatë të shkrimtarëve e shkencëtarëve arbëreshë të Italisë.
Dr. Mikel Markianoin e ka karakterizuar përherë patriotizmi i flaktë për Shqipërinë dhe shqiptarët, dashuria e pakufishme për shqipen dhe për emrin arbëresh.