MENU
klinika

Nisma e qeverisë

Një ligj i ri për minatorët, naftëtarët dhe metalurgët. Kush përfiton?

07.05.2019 - 22:13

Punonjësit e industrisë së naftës dhe metalurgët mund të dalin në pension duke filluar që nga mosha 60 vjeç dhe përveç kësaj do të trajtohen me përfitime financiare shtesë.

Qeveria ka miratuar një projektligj i cili saktëson në mënyrë përfundimtare masën dhe kushtet e përfitimeve financiare që do të jepen jo vetëm për naftëtarët dhe metalurgët, por edhe për punonjësit e minierave.

Por, cilat janë konkretisht kategoritë që përfitojnë?

Sipas draftit, kategoria e parë janë minatorët. Sipas ligjit ekzistues, minatorët dalin në pension që në moshën 55 vjeç nëse përmbushin dy kushte. Kanë një periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë, nga të cilat jo më pak se 12 vjet e 6 muaj i kanë punë në minierë.

Këto lehtësi minatorët i kanë përfituar që në vitin 2014. Por, me draftin e ri të miratuar nga qeveria, veç daljes më herët në pension, përfiton edhe një shtesë mbi pensionin bazë prej 1 për qind për çdo vit pune që kanë në miniera.

Kategoria e dytë përfituese janë punonjësit e industrisë së naftës dhe gazit si dhe metalurgët.

Aktualisht, punonjësit e këtyre dy kategorive nuk përfitojnë trajtim preferencial. Ata dalin në pension në të njëjtën moshë si punonjësit e tjerë dhe kanë të njëjtën pagesë pensioni. Por, me draftin e ri naftëtarët dhe punonjësit e metalurgjisë përfitojnë pension që në moshën 60 vjeç nëse plotësojnë dy kushte.

Kanë më shumë se 30 vjet të siguruar, nga të cilat 20 vjet punë në industrinë e naftës ose metalurgji. Veç daljes më herët në pension, këto kategori përfitojnë edhe një shtesë sa 0.6 për qind e pensionit bazë për çdo vit pune në industrinë e naftës apo në profesionin e metalurgut.

Përmes drafit të ri, pritet të përfitojnë rreth 25 mijë e 500 punonjës të këtyre tre kategorive të vështira, të cilët në total do të marrin një përfitim prej 15 milionë dollarësh në vit.