MENU

Përgjimet e grupit kriminal

Pezullohet prokurori i Sarandës

07.05.2019 - 12:11

Prokurori i identifikuar me inicialet S.Ç në Sarandë është pezulluar nga detyra në kuadër të mega-operacionit policor “Brezi i Gjelbër”.

Ai pasi është pezulluar nga detyra, gjithashtu është thirrur në Policinë Gjyqësore.

Përgjimet e një grupi kriminal që merrej me trafikun e drogës nga Shqipëria në Greqi, kanë zbuluar një rast të korrupsionit në drejtësi.

Të dhënat i ka bërë të ditura në deklaratën për shtyp drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

‘Në kuadër të këtij hetimi u evidentua një rast i dyshuar korrupsioni në sistemin e drejtësisë.

Në datë 24 janar 2019 u ndaluan shtetasit E. H., banues në Tiranë dhe E. D., banues në Përmet, si dhe u procedua masa e sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të detyrës publike” i shtetasit S. Ç., banues në Gjirokastër (Prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër).

Këta shtetas janë akuzuar për veprat penale “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Deklaratë e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore“, u shpreh Veliu në deklaratën për shtyp.