MENU
klinika

Investimi

OSHEE hap tenderin 53 mln lekë

10.05.2019 - 17:07

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka hapur tenderin për studimin e zhvillimit të Rrjetit inxhinierik për furnizimin me energji elektrike në qendër të Tiranës në përputhje me zhvillimin Urban të Bashkisë Tiranë.

Në funksion të këtij studimi është vendosur një fond rreth 53 milion lekë. Synimi i këtij studimi fizibiliteti është ai për krijimin e Masterplanit të Rrjetit Elektrik të furnizimit me energji elektrike të qendrës së Tiranës dhe jo vetem, në përputhje me zhvillimin Urban të Bashkisë. Aplikimet do të mund të bëhen deri me 24 maj 2019.

“Nisur nga fakti ku gjatë dimrit të fundit OSHEE u përball me ezaurimin e kapaciteteve ekzistuese nga ana 20 kV në Nst : Qendër, Traktora, Selitë, Tirana1, Kashar1, plani zhvillimor për Qendrën e Tiranës ku një numër i madh ndërtimesh e kullash me qendra tregtare, biznesi etj, të cilat nga ana e tyre do të kërkojnë kapacitete të konsiderueshme për t’u furnizuar me energji elektrike del i domosdoshëm realizimi i një studimi të detajuar dhe hollësishëm për t’iu përgjigjur pikave më sipër në mënyrë emergjente, por duke konsideruar dhe trendin rritës të ngarkesës për të paktën një periudhe 30 vjeçare në këtë zone”, shkruhet në dokumentet e tenderit.

Studimi i fizibilitetit ka pqr qëllim të përcaktojë zhvillimin e integruar të rrjetit elektrik të qytetit të Tiranës sidomos qendrës së saj në përputhje me planin e zhvillimit urban të Bashkisë Tiranë, nëpërmjet fuqizimit dhe ndërtimit të N/st të ri 110/20 Qendër, dhe jo vetëm, si dhe zhvillimit të rrjetit elektrik të tensionit të mesëm 20 kV, për të garantuar furnizimin cilësor me energji elektrike të përdoruesve aktualë dhe atyre perspektivë, sidomos ndërtesave shumëkateshe multifunksionale që parashikohen të ndërtohen në qytetin e Tiranës në përputhje me Planin Urban të zhvillimit të këtij qyteti.

Në dokumentet e tenderit evidentohet gjithashtu se fokus do të jetë dhe propozimi dhe koordinimi me Bashkinë Tiranë për propozimin fizik të projektit në të cilin do të jetë më fizibël dhe i realizueshëm ndërtimi i një Nënstacioni/ apo propozimeve të tjera alternative në zgjidhjen e problemit për një periudhe të paktën 20 vjeçare.

“Plani rregullues i Tiranës ka parashikuar ndërtimin e mjaft ndërtesave multifuksionale të cilat midis të tjerash janë konsumatorë të fuqishëm të energjisë elektrike. Këta faktorë kanë bërë që ritmet e rritjes së kërkesës për energji elektrike për qytetin e Tiranës të jenë mjaft të larta. Është e qartë që për t’i paraprirë nevojave për furnizimin me energji elektrike të qytetit të Tiranës në përputhje sidomos edhe me planin e zhvillimit urban të saj ku përfshihen edhe ndërtimi i ndërtesave mjaft të larta sidomos në vetë qendrën e qytetit, ndërtesa këto me karakter multifunksional, duhet zhvilluar një infrastrukturë elektrike e përshtatshme, që të garantojë një shërbim cilësor dhe sasior të këtyre konsumatorëve, gjithashtu njëkohësisht të jetë në përputhje me zhvillimet e pritshme afatgjata të qytetit” shkruhet më tej në dokumentet e tenderit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përveç faturave, hapësirë edhe për...

OSHEE me aplikacion të ri për celularë e tabletë?